Sot më 18 mars kalendari Kishtar përkujton Shën Çirilin e Jerusalemit, ipeshkëv e
doktor i Kishës
(18.3.2010 RV)Shën Çirili jetoi në kohën plot trazira të Kishës së shekujve
të parë. U detyrua të merrte pjesë gjallërisht në diskutimet teologjike, nganjëherë
tepër të ashpra, të përziera me ligështitë njerëzore e të ndërthurura me politikën,
me luftërat e jashtme për mbrojtjen e perandorisë e me konfliktet e brendshme për
të shtënë në dorë fronin, duke përdorur për këtë qëllim edhe fenë. Mjafton të
kujtojmë disa data, për ta kuptuar sa e vështirë qe jeta e Shenjtit: i zgjedhur ipeshkëv
i Jerusalemit në vitin 348, në vitin 357 u zëvendësua me një tjetër. Shkaku: ipeshkvi
Akaçi i Çezaresë në Palestinë (i cili e pati shuguruar) e akuzoi për gabime doktrinore
e, për më tepër, nisi të pretendonte që selia ipeshkvnore e Jerusalemit të varej nga
selia e tij e Çezaresë, asokohe kryeqytet administrativ i Palestinës dhe seli e prokurorëve
romakë. Në vitin 359 një koncil vendas i ipeshkvijve e rehabilitoi e ai u rikthye
në katedrën e Jerusalemit. Por, pa kaluar as dy vjet, u dëbua përsëri nga një koncil
tjetër, i mbledhur në Kostandinopojë me këmbënguljen e Akaçit, që kishte ndikim të
fuqishëm mbi perandorin filo-arian, Kostancin. Kujtojmë këtu se Akaçi, ipeshkëv ndërmjet
viteve 340-366, qe një nga personalitetet më në zë të kohës. Pasardhës i ipeshkvit
të madh, Euzebit, vijoi ta pasuronte bibliotekën e Çezaresë. Për të flet edhe Shën
Jeronimi, që i vlerëson lart veprat e tij të mëdha, siç janë komentet dhe interpretimet
e Shkrimit Shenjt, të cilat më vonë humbën të gjitha. Në vitin 362, pas vdekjes
së Kostancit, që ishte në luftë kundër persianëve e pastaj kundër të kushëririt, Julianit,
Çirili u kthye në Jerusalem. Por, rreth vitit 367, perandori Valent e dënoi përsëri.
Shenjti u internua, për t’u rikthyer përfundimisht në selinë e vet vetëm në vitin
378, pas vdekjes së Valentit në luftën kundër gotëve. Në vitin 381 Çirili mori
pjesë në Koncilin II Ekumenik të Kostandinopojës e, më pas, në vitin 382, edhe në
Koncilin III, gjatë të cilit u ripohua vlefshmëria e shugurimit të tij si ipeshkëv
i Jerusalemit ku, më në fund, jetoi i patrazuar deri në vdekje. Në vitin 1882,
pesëmbëdhjetë shekuj më vonë, Papa Leoni XIII e shpalli Dijetar të Kishës, duke theksuar
vlerën e katekizmit të tij, kushtuar kryesisht kandidatëve për Pagëzim dhe të sapo
pagëzuarve. I akuzuar në kohën e tij për lidhje me rrymat e arianizmit, ai në të vërtetë
i kundërvihet doktrinës ariane mbi Krishtin; madje e deklaron qartë Bir të Zotit për
natyrë e jo për bijësim, e njëkohësisht, të amshuar, si vetë Ati. Mësimi i Çirilit
të Jerusalemit do të sfidonte shekujt: do të rikujtohej, së bashku me mësimet e etërve
të tjerë të Kishës, edhe në shekullin XX, në dy kushtetuta dogmatike të Koncilit II
të Vatikanit: “Lumen gentium”- mbi Kishën dhe “Dei Verbum”- mbi Zbulimin Hyjnor. E
akoma, në dekretin “Ad gentes”- mbi veprimtarinë misionare të Kishës në botën bashkëkohore.
Kujtojmë se emri Çiril vjen nga greqishtja e do të thotë: njeri i fortë. Simboli
i Shenjtit –ipeshkëv është shkopi baritor. Shën Çirili i Jerusalemit (313/315, Jerusalem
- 18 mars 386) ishte një teolog dhe ipeshkëv i Jerusalemit. Si kisha katolike dhe
ajo ortodokse e nderojnë atë si shenjt dhe at të kishës, dhe e kremtojnë ditën e tij
përkujtimore me 18 mars ndërsa Kisha e Lindjes me 20 mars. Papa Leoni XIII në vitin
1883 i dha atij titullin "Doktor i Kishës".
Çirili
i Jerusalemit (313– 386)
Çirili u lind në Jerusalem
rreth viteve 313-315. Në Jerusalem u edukua dhe fitoi diturinë. Për meshtar u shugurua
në moshën tridhjetë vjeçare. Njihet si katekist i madh. Ishte ipeshkëv i Aleksandrisë.
Edhe Çirili e përjetoi fatin e shumë shokëve, të cilët kishin probleme dhe kokëçarje
të madhe me arianizmin. Shumë njerëz me ndikim që kishin në popull pranuan këtë herezë
dhe Kisha vuante shumë nga ata. E keqja që vinte nga arianitët ishte se ata kishin
ndikim aq të madh, sa që edhe ipeshkvijtë i largonin nga selitë e tyre, siç e cekëm
edhe më lart. Edhe Çirili tri herë ishte i larguar nga selia e tij në Jerusalem, sepse
u qendronte besnik mendimeve që ishin thënë në Koncilin e Nicesë. Gjithashtu edhe
në Koncilin e Konstantinopolit (v. 381) u hodhën poshtë mendimet dhe mesimet e arianizmit. Çirili
ishte i fortë me qëndrim dinjitoz, që nuk lëshonte pe në gjërat qenësore. Pikërisht
kjo e bëri atë të madh. Ai luftoi dhe ngadhënjeu mbi mësimet e arianizmit, sepse i
shërbeu Krishtit ashtu si Ai kërkoi. Sa u përket shkrimeve të tija, janë të ruajtura
24 predikime katehistike, të cilat i kishte mbajtur në bazilikën e Varrit të shenjtë
dhe në kapelen e Ngjalljes së Jezusit. Në këto predikime Çirili shtjellon të vërtetat
e fesë në tri sakramentet: pagëzimin, krezmimin dhe Kungimin e shenjtë. Ndërsa në
14 predikimet tjera flet dhe spjegon Besojmen. Shpesh herë këto predikime i ndërlidhte
me jetën e përditshme. Ishte i lehtë për t`u kuptuar. Ndërsa me predikimet e veta
dëshmon se e njeh mirë njeriun si krijesë të Zotit me të gjitha të mirat dhe të këqijat
në vete. Shumë njerëz kërkonin nga ai mësime dhe konsultime të ndryshme. p. sh.
disa paganë kërkonin këshilla, sepse donin të martohen me vajza të krishtera. Çirili
u thonte se motivi për të cilin dëshironi të kaloni në fenë e krishterë nuk është
i lartë dhe i mirë, por sidoqoftë më duhet të them se je i caktuar për shëlbim. Zotëria
është ai i cili të zuri me grep, por jo që ta marrë jetën veçse ta sigurosh edhe atëherë
kur e ndërron këtë jetë. Ai lejon që të vdesim por me fuqinë hyjnore të veten na ngjall
për jetën e pasosur. Pra, mos harro se edhe apostulli thotë: duhet të vdesim për kah
mëkati e të jetojmë në drejtësi. Prandaj vdis për kah mëkati, që nga dita e sotme
të jetosh. Në këtë mësim shihet thjeshtësia dhe mësimi mjaft bindës i Çirilit. Kjo
është vetëm një pjesë e jetës së Çirilit, i cili u shqua si bari i mirë për ta ruajtur
grigjën që Kryebariu ia kishte lënë në kujdes. Ai për Kishën thotë se është katolike
sepse është e përhapur në katër anët e botës, sepse ajo mëson të gjitha dogmat për
të mirën e njerëzimit që të vijnë deri tek njohuria e vërtetë. Quhet Kishë për arsye
se i thërret dhe i ka të gjithë njerëzit e të gjitha shtresat të cilët i nënshtrohen
dhe e adhurojnë një Zot të vetëm: qeveritarët dhe të nënshtruarit, të dijshmit e të
pa dijshmit, të pasurit e të varfërit. Të gjithë së bashku e përbëjnë një Kishë të
vetme. Çirili ishte gojëtar i madh i shekullit të katërt. Nuk e kishte në kujdes
të futej thellë në teologji, por të vërtetat e fesë i flet thjesht dhe me një fjalor
popullor. Çirili vdiq me 18 mars 386. Papa Luani i XIII e shpalli Mësues të Kishës
në vitin 1882.