2010-03-18 14:35:54

Papa afaristëve: përparësia punë dinjitoze për të gjithë


(18.03.2010 RV)RealAudioMP3 Dinjiteti i njeriut të jetë gjithnjë në qendër të ekonomisë, edhe në kohë krize: Papa u fliste kështu afaristëve të Romës, të cilët i priti sot në Vatikan, por fjalët e tij vlejnë për të gjithë botën e biznesit, në çdo vend të botës.
Benedikti XVI përmendi enciklikën e tij të fundit “Caritas in Veritate” për të theksuar se ndërmarrjet e firmat duhet të jenë gjithnjë në shërbim të njeriut. Ati i Shenjtë pohoi edhe se politika nuk u duhet nënshtruar mekanizmave financiare. Pastaj, foli për emergjencën e punësimit, sidomos në botën rinore. Gjetja e një pune dinjitoze për të gjithë, duhet të jetë përparësi, tha Papa:
“Ajo që e udhëheq Kishën për të promovuar një qëllim të tillë është bindja se puna është e mirë për njeriun, për familjen e për shoqërinë, burim lirie e përgjegjësie”.
Në arritjen e këtij qëllimi, shpjegoi Papa, duhet të mbështeten sidomos afaristët, të cilët kryejnë këtë shërbim për shoqërinë dhe për të mirën e përbashkët. Benedikti XVI u njohu atyre sakrificat e shumta për hapjen dhe hyrjen e firmave në tregun global, si edhe përpjekjet për të mos pushuar askënd nga puna. E nënvizoi:
“Në këtë kontekst, është e rëndësishme të kapërcehet ai mentalitet individualist dhe materialist, që sugjeron largimin e investimeve nga ekonomia reale për të privilegjuar impenjimin e kapitaleve në tregjet financiare, ku parashikohen fitime më të lehta e më të shpejta”.
Duhet, shtoi Ati i Shenjtë, një humanizëm i krishterë, që të gjallërojë dashurinë e bamirësinë edhe në aktivitetet e afaristëve, në vendimet e tyre ekonomike e financiare. Papa tregoi disa rrugë për të dalë nga kriza: të krijohet një rrjet i përbashkët me realitetet e tjera shoqërore, të investohet në punën kërkimore-shkencore, të mos bëhet konkurrencë jo korrekte ndërmjet firmave dhe të mos harrohen detyrat shoqërore, që ka secili:
“Vetë kriza financiare ka treguar se në një treg të shkatërruar nga falimentimet zinxhir, kanë rezistuar ato subjekte ekonomike, të afta të veprojnë sipas moralit të drejtë dhe të kujdesshme ndaj nevojave të territorit”.
Papa theksoi se kriza duhet jetuar me besim, pasi mund të konsiderohet një mundësi për të rishikuar modelet e zhvillimit dhe për të riorganizuar botën e financës:
“Ndërmarrja mund të jetë vitale dhe të prodhojë “pasuri për shoqërinë”, nëse afaristët janë largpamës, preferojnë investimin afatgjatë para fitimit me spekullime dhe nxisin rinovimin, në vend që të mendojnë si të grumbullojnë pasuri vetëm për vete”.







All the contents on this site are copyrighted ©.