2010-03-18 16:21:39

Nju Jork: Kërkohet zgjatja e misionit të OKB-së në Afganistan.


(18.03.2010 RV)Këshilli i Sigurisë që u mblodh sot në Nju Jork mori në shqyrtim një raport mbi Afganistanin përgatitur nga Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki Mun në të cilin kërkohet, ndërmjet tjerash, edhe zgjatja me 12 muaj e mandatit të Kombeve të Bashkuara në këtë vend. Ndërkohë operacionet luftarake kundër talebanëve në Kandahar vazhdojnë me ngulm. Por ajo që shqetëson më tepër OKB është përhapja e konfliktit në rajon, në veçanti në afërsi të kufirit me Pakistanin.
Në mikrofonin e Radio Vatikanit flet koordinatorja shkencore e revistës Limes, Margerita Paolini. Ta dëgjojmë:

Përgjigje: Mendoj se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Indisë dhe Pakistanit është themelor, absolutisht themelor, për zgjidhjen e problemit të Afganistanit. Është një luftë ku përfshihet një i tretë, dhe ky është Afganistani. Kjo luftë do të vazhdojë t’i acarojë marrëdhëniet ndërmjet këtyre vedeve. Përveç kësaj, në këtë mënyrë ushqehet terrorizmi nga ana e Pakistanit, por edhe nxiten përgjigje të pakontrolluara nga ana e Indisë.

Pyetje: Një nga temat për të cilat po flitet kaq shumë këto ditë në lidhje me Afganistanin është edhe ajo e pajtimit kombëtar. A është e mundur kjo gjë?

Përgjigje: Kushti i domosdoshëm për amnestinë e talebanëve dhe miqve të tyre është që këta t’i ndërpresin lidhjet me Al-Kaedën. Al-Kaeda ka kohë që nuk ekziston më, por ky emër del kur përmenden grupet terroriste pakistane. Ja, pra ky është problemi i parë. Në këtë rast, bashkësia ndërkombëtare do të shpenzonte një shumë të madhe për faljen dhe pranimin si ushtarakë, brenda ushtrisë dhe policisë, të disa personave që nuk janë të besueshëm. Problemi është se të gjitha këto grupe duhet të thonë se nuk kanë lidhje me Al-Kaedën, e cila nuk ekziston, por se kanë lidhje me grupet xhihadiste pakistane. Këto janë pikërisht ato grupe që nuk duhet të vënë më këmbë në Afganistan dhe që India dhe Pakistani duhet t’i nxjerrin jashtë loje.

Pyetje: Me pak fjalë, ç’duhet të presim muajt e ardhshëm përsa i përket Afganistanit?

Përgjigje: Ajo që ka rëndësi është se bashkësia ndërkombëtare duhet të impenjohet, edhe duke shpenzuar një shumë të madhe, për ta zgjidhur problemin në rrënjë. Dhe kjo rrënjë është pikërisht normalizimi i marrëdhënieve Indi-Pakistan dhe pastaj, mbështetja që jo vetëm Pakistani por edhe krejt bashkësia ndërkombëtare vazhdon t’u japë këtyre grupeve duke i thirrur Al-Kaeda e jo me emrin e tyre të vërtetë.







All the contents on this site are copyrighted ©.