2010-03-18 13:02:40

At Gaetano Brambillasca, Jezuit “qytetar nderi” i Shkodrës


(18.3.2010 RV)Jezuiti At Gaetano Brambillasca u shpall sot "Qytetar Nderi" i Shkodrës, pasi në 16 vite pune si drejtues i shkollës jopublike "At Pjetër Meshkalla" ka mundur ta rendisë ndër shkollat më të mirat e Shqipërisë.
Për meritat dhe vlerat që ka shfaqur në shërbimin që At Brambillasca i ka bërë komunitetit shkodran, Këshilli Bashkiak i Shkodrës e ka nderuar sot jezuitin At Gaetano Brambillasca me titullin "Qytetar Nderi" në një ceremoni të organizuar në sallën e bibliotekës "Marin Barleti" të qytetit, ku ndodhej dhe konsulli italian në Shkodër, Stefano Marguccio.
Referuesit në këtë takim theksuan meritat dhe vlerat që At Gaetano ka prezantuar gjatë viteve të qëndrimit e të misionit të tij në Shkodër e poçarërisht në drejtim të shkollës të mesme "Atë Pjetër Meshkalla" në emër të bashkësisë së Etërve Jezuitë. Pra, që prej 16 vitesh at Brambillasca ka bërë që kjo shkollë të jetë ndër shkollat më të mira në qarkun e Shkodrës dhe në gjithë Shqipërisë. Kujtojmë se në të kaluarën, në këtë shkollë, morën mësimet e para poeti dom Ndre Mjeda, filologu at Anton Xanoni, Faik Konica, Luigj Gurakuqi, Henrik Lacaj, kompozitori Tonin Harapi e shumë të tjerë.
"Vizioni dhe përvoja e madhe, puna këmbëngulëse, butësia dhe durimi i pakufishëm, thjeshtësia dhe përvujtëria e jezuitit At Gaetano janë model për secilin prej nesh në profesionin e edukatorit", u shpreh mes tjerash Aleksandër Hila, një nga mësuesit e parë dhe prej shumë vitesh nëndrejtor i kësaj shkolle.
Sipas statistikave të Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë, shkolla "At Pjetër Meshkalla" është renditur vazhdimisht ndër 20 shkollat më të mira në shkallë kombëtare gjatë 10 viteve të fundit, ndërsa në vitin shkollor 2006-2007 është renditur ndër 5 shkollat më të mira në Republikë dhe ndër 3 shkollat jopublike më të mira në shkallë vendi. Po të dëgjojmë vet At Brambillascen në mikrofonin e Radio Vatikanit, si e priti këtë mirënjohje dhe mendimin e tij për shkollën që drejton…..RealAudioMP3
 







All the contents on this site are copyrighted ©.