Papa në audiencën e përgjithshme: Zoti nuk njihet vetëm me arsye, por me forcën e
dashurisë.
(17.03.2010 RV)Sot paradite Papa e mbajti audiencën e përgjithshme, për herë
të parë këtë vit, në Sheshin e Shën Pjetrit, ndriçuar nga dielli i ëmbël i fillimit
të pranverës, mbas ditëve të gjata me reshje. Në qendër të katekizmit, përsëri figura
e Shën Bonaventurës së Banjorexhos dhe arritjet e tij në shkencën teologjike, të krahasuara
sot me veprën e Shën Tomës së Akuinit. Shën Toma e Shën Bonaventura – tha Papa
– e përkufizojnë në mënyra të ndryshme cakun e fundmë të njeriut, lumturinë e tij
të plotë. Parë në këtë këndvështrim, mund të themi se kategoria më e lartë për Shën
Tomën është e vërteta, ndërsa për Shën Bonaventurën, e mira. Do të ishte gabim të
mendonim se këto dy përgjigje i kundërvihen njëra-tjetrës. Në të dyja rastet, e vërteta
është edhe e mirë; ndërsa e mira, është njëkohësisht edhe e vërtetë; të shikosh Zotin,
do të thotë ta duash, e ta duash, do të thotë ta shikosh. Kemi të bëjmë me theksime
të ndryshme të një vizioni, në themel të përbashkët. Të dy këto theksime formuan tradita
e përshpirtëri të ndryshme e kështu dëshmuan fekonditetin e fesë, që është një, në
larminë e shprehjeve të saj të ndryshme.
Jeta e krishterë është një shkallë
drejt Zotit. Kështu e perceptonte, 800 vjet më parë Shën Bonaventura nga Banjorexho.
Një ngjitje ‘drejt lartësive të Hyjit’, që mund të kryhet me forcën e arsyes e të
kërkimit shkencor teologjik deri në një farë pike, përtej së cilës mund të ngjitesh
vetëm përmes dritës së dashurisë. E pikërisht aftësitë dhe kufizimet e teologjisë
theksoi Benedikti XVI në katekizmin e audiencës së sotme, duke vënë ballë për ballë
bindjet e Shën Bonaventurës nga Banjorexho me ato të Shën Tomës së Akuinit në fushën
e teologjisë, e cila mund të jetë spekulative, domethënë mund të na çojë në radhë
të parë tek njohja e Zotit, ose praktike, domethënë mund të na çojë drejt së mirës.
Papa shprehu mendimin se: “Për Shën Tomën qëllimi më i lartë, drejt të cilit
shkon dëshira jonë, është të shohim Zotin. Në këtë akt të thjeshtë të pamjes së Zotit,
gjejnë zgjidhjen të gjitha problemet: arrijmë lumturinë, nuk kemi më nevojë për asgjë
tjetër. Ndërsa për Shën Bonaventurën, fati i fundmë i njeriut është:
ta dojë Zotin, të takohet e të bashkohet, në dashurinë e tij e tonën. E ky, për të,
është edhe përkufizmi më i mirë i lumturisë së njeriut”. Përparësisë së
teorisë ose të praktikës, Shën Bonaventura i shton një aspekt të tretë – tha Papa-
i cili i përmbledh të dy të tjerët: atë të dijes. Duke mbrojtur këtë tip të reflektimit
metodik e racional të fesë, studiuesi françeskan ndalet tek një konceptim i gabuar
i teologjisë së kohës së tij – por edhe i kohës sonë, sipas të cilit – theksoi Papa…: “…
arsyeja e zbrazka fenë, qenka një sjellje e dhunshme, në krahasim me fjalën e Zotit,
të cilën duhet ta dëgjojmë, por jo ta analizojmë. Këtyre argumenteve kundër teologjisë,
të cilat na bindin për rreziqet që ekzitojnë në vetë teologjinë, Shenjti u përgjigjet:
është e vërtetë se ka një mënyrë arrogante për të bërë teologji, një mburrje të arsyes,
që vihet përmbi fjalën e Zotit. Por teologjia e vërtetë, puna racionale e teologjisë
së vërtetë e të mirë, ka një zanafillë tjetër. Kush dashuron, dëshiron ta njohë gjithnjë
më mirë e më gjatë atë që do (…). Prandaj për Shën Bonavnturën vendin e parë e zë
dashuria”. Për të arritur në këtë konceptim të teologjisë – shpjegoi Papa
– Shën Bonaventura u ndikua, pa dyshim, nga ideja se ‘vendin e parë e zë dashuria”,
karakteristike për karizmën françeskane. Por në këtë ide të njohjes së Zotit në formën
e ngjitjes së vazhdueshme shpirtërore, ndjehet edhe ndikimi i teologut më të lashtë
siriak, që njihet me emrin Pseudo- Dionisi, i cili i kishte ndarë ëngjëjt në nëntë
rende: “Shën Bonavntura i interpreton këto rende të ëngjëjve si shkallë që
e afrojnë krijesën tek Zoti. Kështu ata mund të përfaqësojnë shtegtimin e njeriut,
ngjitjen e tij drejt bashkimit me Zotin”. Gjithsesi, Pseudo-Dionisi është
i mendimit se ekziston edhe një këmbë shkalle, e fundmja, përtej pamjes me arsye e
me zemër, e cila për Shën Agostinin – kujtoi Papa – është kategoria e fundit e njohjes: “Në
ngjitjen drejt Zotit mund të arrihet në një pikë, ku arsyeja nuk sheh më. Por, atje
ku bie nata e mendjes, dashuria vijon të shikojë; ajo sheh atë, që nuk mund ta shohë
arsyeja. Dashuria shtrihet përtej arsyes, shikon më shumë, hyn në thellësinë e misterit
të Zotit (…). Pikërisht në natën e errët të Kryqit, duket e gjithë madhështia e dashurisë
hyjnore”. Ndërmjet shumë përshëndetjeve, drejtuar shtegtarëve
nga të katër anët e botës, Papa kujtoi në mënyrë të veçantë delegacionin e pranishëm
në Sheshin e Shën Pjetrit, ardhur nga dioqeza amerikane e Trentonit, ku u ndez “Pishtari
Benediktin për paqen”. Uroj që një veprimtari e tillë – theksoi Papa – të kontribuojë
për formimin e vetëdijes së solidaritetit dhe të kulturës së paqes, duke ndjekur shembullin
e Shën Benediktit, apostullit të palodhshëm, që shkriu gjithë jetën ndërmjet popujve
të Evropës. E një përshëndetje tjetër tejet të ngrohtë, Papa ua drejtoi të rinjve,
duke pasur parasysh edhe afrimin e stinës së re. “Takimi me ju – u tha Ati i Shenjtë
- më gëzon gjithnjë e, njëkohësisht, është burim shpresash, sepse mosha juaj është
pranverë e jetës. Prandaj ju uroj të mos e harroni kurrë dashurinë që ka Zoti për
ju”.