Në audiencën e sotme, Papa foli për Shën Tomën e Akvinit
(17.03.2010 RV)Domenikani i madh lindi në Rokaseka të Frozinones, rreth vitit
1225 e vdiq në Fosanova, Latina, më 7 mars 1274. “Rregulltar i Shën Dedës, i edukuar
në manastrin e Montekasinos e në shkollat më të njohura të kohës, dha mësim në Paris,
Orvieto, Romë Viterbo e Napoli, duke krijuar një metodë moderne të mësimdhënies, që
shënoi një kthesë të vërtetë në arsimin e kohës. Shkroi shumë e posaçërisht kryeveprën
‘Summa Theologiæ’, sistemim gjenial i gjithë doktrinës filozofike e teologjike të
mbledhur nga tradita. Ushtroi ndikim të madh mbi mendimin filozofik të kohës e mbi
kërkimet shkencore në shekujt që do të vinin”. Kështu paraqitet Shenjti i madh në
Mesharin Romak. Në Martiriologun Romak për të shkruhet: “Përkujtojmë
sot Shën Tomën e Akvinit, meshtar i Urdhërit të Predikatarëve e dijetar i Kishës që,
i pajisur me zgjuarësi të jashtëzakonshme, ua transmetoi të tjerëve me fjalime e shkrime,
dijen e tij të pashembullt. I ftuar nga Papa Gregori X për të marrë pjesë në Koncilin
Ekumenik të Lionit, vdiq më 7 mars 1274 gjatë udhëtimit, në manastirin Fosanova të
Lacios e pas shumë vjetësh, trupi i tij qe mbartur në Tuluzë. Përkujtohet më 28 janar”. Kur
Papa Gjoni XXII në vitin 1323 e shkroi emrin e Tomës së Akvinit në Librin e Shenjtorëve,
atyre që vërejtën se nuk kishte bërë ndonjë mrekulli të madhe, Papa iu përgjigj me
frazën e famshme. “Sa fraza teologjike shkroi, aq mrekulli bëri”. E ky është
vlerësimi më i madh që mund t’i bëhej teologut të shquar, i cili me veprën e tij madhore
‘Summa Theologiæ’ - “Përmbledhje e teologjisë’, vuri sistematikisht bazat shkencore,
filozofike e teologjike të doktrinës së krishterë.
Pakëz biografi Toma
lindi rreth vitit 1225 në kështjellën e Rokasekës (Frozinone), pronë e kontëve të
Akvinit. I jati, Landolfi, ishte me origjinë longobarde e i vejë me tre fëmijë, kur
u martua me Teodorën, napolitane me origjinë normane. Nga bashkimi i tyre lindën nëntë
fëmijë, katër meshkuj e pesë femra. Toma ishte i fundmi i meshkujve. Sipas traditës
së epokës, djali u dërgua si ‘mblatë’ në abacinë e Montekasinos ku, në se do të dëshironte,
mund të merrte përgatitjen e duhur për t’u bërë murg. Katërmbëdhjetë vjeç, kur ishte
ambientuar plotësisht, u detyrua të largohej që aty, sepse më 1239 abacia u pushtua
ushtarakisht nga perandori Federiku II, që i dëboi të gjithë murgjërit. Shkoi të vijonte
studimet në Napoli, ku ndoqi kursin e arteve liberale e pati rastin të njihej me veprën
e Aristotelit, asokohe e ndaluar në fakultetet kishtare, duke e kuptuar menjëherë
vlerën e saj të madhe.
Domenikan Në Napoli pati rastin të njihej
së afërmi edhe me kuvendin e Shën Dedës e me mënyrën e jetesës së vëllezërve predikatarë.
Më 1244 vendosi të hynte në Urdhërin Domenikan, ku eprorët e nuhatën shpejt talentin
e zgjuarësinë e tij të rrallë. E dërguan, prandaj, në Paris, për të vijuar studimet.
E ëma, Teodora, që kishte mbetur e vejë, u tmerrua kur e mori vesh ç’rrugë kishte
zgjedhur djali i saj i jashtëzakonshëm e, si u nis për në Paris, e ndoqi pas e mundua
t’ia priste rrugën. Njerëzit e saj e kapën dhe mbyllën në një qeli të Kështjellës
atërore të Shën Gjonit. Bënë çmos t’ia kthenin mendjen. Arriten deri atje, sa t’i
shtinin në qeli një vajzë me bukuri të jashtëzakonshme, për ta tunduar. Por më kot.
Ai jo vetëm që nuk iu afrua, por me që nuk po dilte nga qelia, humbi durimin dhe,
si mori një urë të ndezur nga vatra e bëri të ikte me të katra. Kështu pastërtia
e domenikanit të ri u bë proverbiale. Ndërkaq ia doli mbanesh të ikte nga kështjella,
ku e kishte mbyllur e ëma, që e konsideronte poshtërim për familjen hyrjen e të birit
në një urdhër lypsarakësh. Pati përkrah vetëm të motrën, Marotën, që më pas u bë murgeshë
e abateshë e manastirit domenikan të Shën Marisë në Kapua.
Student në Këln
së bashku me Albertin e Madh Su rikthye në Napoli, Eprori i Përgjithshëm, Gjon
Teutoniku, e pa të arsyeshme ta çonte përsëri jashtë Italisë për t’i përsosur studimet.
Shkoi në Këln ku nisi të jipte mësim së bashku me Albertin e Madh (1193-1280), domenikan,
filozof e teolog, nismëtar i aristotelizmit mesjetar në botën latine e njeri me kulturë
enciklopedike. Toma u bë dishepulli i tij për pesë vjet: lindi, kështu, ndërmjet
dy gjenive të kulturës, një miqësi e ngushtë. Ndërkaq Papa Inoçenci IV e thirri për
të marrë në dorë drejtimin e Manastirit të Montekasinos, por ai nuk pranoi, sepse
e kishte si parim të mos pranonte kurrë detyra të rëndësishme në Kishë. Deshi të mbetej
murg, e murg mbeti deri në fund të jetës, murg i madh, gjenial. Në Këln, për shkak
të temperamentit të heshtur e shtatit vigan, i vunë nofkën ‘kau memec’. Por Alberti
i Madh, si u njoh me disa shënime të Tomës për një çështje tepër të vështirë teologjike,
mbi të cilën kishte folur gjatë një leksioni, e ngarkoi të mbante një diskutim , gjatë
të cilit Toma shkëlqeu, si zakonisht. Atëherë mësuesi i madh, që e kishte dëgjuar
nofkën, brohoriti para të gjithëve, i entuziazmuar: “Ne e quajmë ‘kau memec’, por
ai, me doktrinën e tij, një ditë ka për të pallur aq, sa ta tundë gjithë botën”.
Meshtar,
Mësues në Universitetin e Parisit, Doktor në teologji Në vitin 1252, pak pasi
ishte shuguruar meshtar, Alberti e propozoi si kandidat për katedrën e “baccalarius
biblicus” në Universitetin e Parisit, duke iu përgjigjur kështu Eprorit të përgjithshëm
të Urdhërit, Gjonit të Vildeshauen. Ishte vetëm 27 vjeç Toma, kur nisi punën si
profesor në Universitetin zëmadh e njëkohësisht mori doktoratën në teologji. Por
në universitet nuk gjeti paqe: situata ishte e tejet e trazuar, për shkak të ndeshjve
të vazhdueshme ndërmjet klerit shekullar a tij rregulltar, që ishte shumë më i përgatitur.
Atëherë profesori i ri shkroi polemikën e famshme “Contra impugnantes”, dmth kundra
klerit shekullar, që nuk donte ta pranonte epërsinë absolute të atij rregulltar. Polemika
i shkaktoi telashe të reja e u desh ndërhyrja e drejtpërdrejtë e vetë Papës, që t’i
hapej përsëri rruga drejt katedrës e pranimit në trupën Akademike të Universitetit.
Vetëm me komentin e “Sentencave” të Pjetër Lombardit e kishte fituar tashmë simpatinë
e plotë të studentëve, të cilët e nuhatën menjëherë se mësimdhënia e tij sillte një
frymë të re në universitet. Profesori i Shkrimit Shenjt e organizonte mësimin me metoda
të reja duke u bazuar mbi prova e shembuj gjithnjë të rinj, pa përsëritur kurrë të
njëjtin argument, derisa arrinte, së bashku me studentët, në përfundimin e dëshiruar.
Ishte shpirt i lirë, i gatshëm për t’u shërbyer të gjithëve, besnik ndaj doktrinës
së Kishës e njëkohësisht përtëritës i saj. Në Paris, me ftesën e Eprorit të përgjithshëm
të Dominikanëve, asohkohe Raimondi de Penjafort, nisi të shkruante një traktat teologjik,
titulluar “Summa contro Gentiles”, material udhëzues për misionarët, që përgatiteshin
të predikonin në vendet, ku kishte një prani të fortë hebrenjsh e myslimanësh.
Kthimi
në Itali: bashkëpunëtor i papëve Punoi tri vjet në Universitetin e Parisit:
më 1259 u thirr në Itali, ku vijoi të predikonte e të jepte mësim, më parë në Napoli
e në Ananji, ku ishte kuria papnore, e pastaj në Orvieto, seli e Papës Urbani IV nga
1262 deri më 1264, i cili e thirri Tomën si bashkëpunëtor në hartimin e veprës “Catena
aurea” (Zinxhiri i artë), koment i katër ungjijve; e gjithnjë me kërkesën e Papës,
nisi dialogun me Kishat lindore, gjë që i krijoi mundësitë të thellohej në veprat
e Etërve grekë e të shkruante traktatin ‘Contra erroes Graecorum’ - “Kundër gabimeve
të Grekëve”, që pati ndikim shumë pozitiv në marrëdhëniet ekumenike. Gjithnjë në periudhën
e kaluar në Orvieto, u ngarkua nga Papa të shkruante liturgjinë dhe himnet e Festës
së Korpit të Krishtit, themeluar më 8 shtator 1264, pas mrekullisë eukaristike pranë
Bolsenës më 1263, kur meshtari bohem Pjetri nga Praga, që dyshonte mbi praninë e Krishtit
në Eukaristi, pa të rridhte nga hostja e shuguruar, që kishte ndër duar, gjak që lagu
korporalin, pëlhurën e linjtë e dyshemenë. Ndërmjet himneve të krijuara nga Toma,
është edhe e “Pange lingua” , që vijon të këndohet edhe sot, së bashku me dy strofa
të Tantum ergo, kur jepet bekimi me të Shenjtnueshmin Sakrament, në të cilën derdhi
gjithë frymëzimin e tij poetik, si këngëtar i Eukaristisë. Më 1265 u transferua
në Romë, për të drejtuar studimet e përgjithshme të Urdhërit domenikan, me seli në
Santa Sabina. “Summa theologiae” Në Romë e kuptoi menjëherë
se jo të gjithë studentët qenë të përgatitur për një kurs teologjik tepër impenjativ,
prandaj nisi të shkruante për ta një ‘Përmbledhje të teologjisë’ për t’i paraqitur
çështjet që kanë të bëjnë me fenë e krishterë në mënyrë të kuptueshme edhe për fillestarët.
Vepra e madhe teologjike, që do t’i jepte famë në shekuj, ndahet në tri pjesë:
pjesa e parë trajton Hyjin, “një i vetëm në tri Vetje dhe procesionin e të gjitha
krijesave të tij”; pjesa e dytë flet për “ lëvizjen e krijesave të pajisura me arsye,
drejt Hyjit”; e treta paraqet Jezusin që, si njeri, “është udha përmes së cilës kthehemi
te Ati”. Vepra, e nisur në Romë më 1267, që vijoi për shtatë vjet, u ndërpre papritmas
më 6 dhjetor 1273 në Napoli, tri vjet para vdekjes. Me që, për shkak të lëvizjeve
të tij të vazhdueshme, Toma nuk mund të jetonte në bashkësi, gjë që i krijonte vështirësi,
eprorët e tij menduan ta ndihmonin, duke i lënë pranë një domenikan tjetër, vëllanë
Regjinaldi nga Piperno, me të cilin formoi një bashkësi të vogël. Vijoi, pastaj,
lëvizjet nga Parisi në Napoli, duke shkruar pa pushim. Në Paris shkroi pesë vepra,
vijoi ‘Përmbledhjen e teologjisë’ e hartoi shkrime polemike, përmes të cilave mbrojti
domenikanët, të sulmuar nga urdhërat e tjerë të lëmoshtarëve, sidomos nga françeskanët
të cilët, ndyshe prej etërve predikatarë, që ndiqnin aristotelizmin, ishin besnikë
të neoplatonizmit agostinian. Synimi i Tomës ishte t’i ndreqte gabimet doktrinore
kudo që të shfaqeshin. U rikthye në Montekasino e në Rokaseka, ku vijoi të jepte mësim
e të përkryente studimet dhe shkrimet e tij.
Ndërprerja e plotë e shkrimit Toma
kishte pasur gjithnjë shëndet të mirë e aftësi të jashtëzakonshme për punë. E niste
ditën shumë heret. Rrëfehej me Regjinaldin, kremtonte Meshën e pastaj jepte mësim,
studionte e shkruante. Po kështu bënte edhe mbasdite. E, vijonte të lutej e të studionte
dhe pas darke, deri natën vonë. Flinte shumë pak e bënte çmos që kjo gjë të mos u
binte në sy të tjerëve. Por, më 6 dhjetor 1273, ndërsa kremtonte Meshën, diçka e
preku në thellësi të shpirtit. Që nga kjo ditë jeta e tij ndryshoi krejtësisht. Nuk
kapi më pendë me dorë. Përpjekjeve të Atë Regjinaldit për ta rikthyer te studimi,
iu përgjigj: “Regjinald, nuk mundem, sepse gjithçka kam shkruar, për mua vlen më pak
se kashta, përballë asaj që m’u zbulua”. E shtoi: “E vetmja gjë që dëshiroj tani,
është që Hyji, pasi i dha fund veprës sime si shkrimtar, t’i japë fund edhe jetës
sime”. E jeta e tij mori fund nësa ishte për udhë drejt Francës, për të marrë
pjesë në Koncilin e Lionit. I mbylli sytë në abacinë e Fosanovës më 7 mars 1274. Ishte
vetëm 49 vjeç e kishte shkruar më se 40 vëllime. Kulti i Shenjtit Në
vitin 1567 Toma i Akvinit u shpall Dijetar i Kishës; më 4 gusht 1880, pajtor i shkollave
dhe i universiteteve katolike Është edhe Pajtor i teologëve, i akademikëve, i librashitësve.
Festa e tij nisi të kremtohej më 7 mars, ditën kur ndërroi jetë. U caktua më 27
janar, datë e mbartjes së relikeve të tij, pas Koncilit II të Vatikanit. Në fund
të kësaj përmbledhjeje të shkurtër të një jete të begatë, tepër të vështirë për t’u
përshkruar, po vendosim himnin e mrekullueshëm eukaristik, në të cilin Toma shkriu
gjithë dashurinë e besimin që kishte në misterin e Eukaristisë:“Pange lingua” (Teksti latin)
Pange língua gloriósi Córporis mystérium, Sanguinísque
pretiósi, Quem in mundi prétium fructus ventris generósi Rex effúdit géntium.
Nobis datus, nobis natus ex intácta Vírgine, et in mundo conversátus,
sparso verbi sémine, sui moras incolátus miro cláusit órdine.
In
suprémae nocte cenae recúmbens cum frátribus, observáta lege plene cibis
in legálibus, cibum turbae duodénae se dat suis mánibus.
Verbum caro
panem verum verbo carnem éfficit: fitque sanguis Christi merum. Et si sensus
déficit, ad firmándum cor sincérum sola fides súfficit.
Tantum ergo
Sacraméntum venerémur cérnui: et antícuum documéntum novo cedat rítui: praestet
fides suppleméntum sénsuum deféctui.
Genitóri, Genitóque laus et jubilátio,
salus, hónor, virtus quoque sit et benedíctio: procedénti ad utróque cómpar
sit laudátio.
Amen.Teksti në gjuhën shqipe, përkthyer nga Atë Gjergj Fishta: Pange
lingua
1 Korpit t’Krishtit të lumnueshem
thueja , gjuhë, lavdet me nderë, Si dhe gjakut të paçmueshem, Qi n’perdlim
t’ktij sheklli t’mjerë - Fryti i barkut të shêjtnueshem - Rregji i nierzve derdhi
‘i herë. 2 Lé per né edhe dergue Prej nji Virgjine s’kullueme, Si
n’ket shekull pat jetue Edhe msimet dha t’amshueme, Shtekun jetës i a ka mbarue Në
një mnyrë krejt t’mrekullueme. 3 N’t’mbramen darkë t’asajë natës s’ndershme Ulë
me vllazen m’tryezë me ngranun, Tuj i u shtrue krejt ligjes s’hershme, Qi per
hae dikúr kje dhanun, Dymbdhetë vllazensh çetës së vlershme Ushqim vehten desht
me u dhanun. 4 Fjala mish në mish të gjallë Me fjalë t’vet buken
e shndrron N’gjak t’vet venen shndrron per mallë, E se shisja s’e kupton, N’
zemer besen per m’ia njallë T’mirit feja e bardhë mjafton. 5 Sakramend,
prá, kaq t’madhnuem Le t’a adhrojmë me ftyrë per dhé, Edhe dokja e motit të
shkuem T’i a lëshojë rendin sjelles së ré: N’shka s’ mbrrinë mendja me kuptuem, Ndihmë
t’na bâhet shêjtja Fé. 6 Ati e Biri sod e p’rhera Bekue kjoshin n’brohorí, Lavdi
u kjoftë edhè u kjoftë ndera Të tanë jetë e t’tanë fuqí; Shpirtit, rrjedhë dý
vehtjesh tjera, M’nja i kjoftë lavdi me lumní. Ashtu kjoftë!
Në vitin
2007, në lutjen e Engjëllit të Tënzot të festës liturgjike të Tomës së Akuinit, Benedikti
XVI e paraqiti Shenjtin si model i harmonisë ndërmjet arsyes e fesë, me vlerë për
të gjitha kohët. E kjo sepse na mëson të vërejmë se njeriu varfërohet, kur mendon
vetëm për sendet materiale, që mund të provohen, duke hequr dorë nga pyetjet e mëdha
mbi jetën, mbi vetveten e mbi Zotin. Në të vërtetë, zhvillimi modern i shkencave ka
shumë pasoja pozitive, që duhen pranuar gjithnjë. Por njëkohësisht duhet pranuar edhe
se prirja për të konsideruar të vërtetë vetëm atë që provohet, përbën një kufizim
të arsyes njerëzore dhe prodhon skizofreninë e tmerrshme, tashmë të njohur, për të
cilën bashkëjetojnë racionalizmi e materializmi, hiperteknologjia dhe instinktet e
shfrenuara.Në qoftë se feja e krishterë është e vërtetë - shpjegoi Benedikti XVI
- nuk e dënon lirinë dhe arsyen njerëzore, e cila nuk humbet asgjë në se bën të vetat
mësimet e fesë. Feja e supozon dhe e përkryen arsyen, ndërsa arsyeja, e ndriçuar nga
feja, gjen forcë të lartohet në njohjen e Zotit dhe të realiteteve shpirtërore.