2010-03-17 18:03:03

Kardinali Bredi: Letra e Papës, burim përtëritjeje për Kishën irlandeze.


(17.03.2010 RV)Letra baritore e Papës drejtuar besimtarëve të Irlandës, do të jetë burim i rëndësishëm i përtëritjes për Kishën irlandeze e cila, në këtë çast të vështirë, është e thirrur për një rifillim të ri e për një epokë të re reforme”. Këtë theksoi sot Kardinali Bredi, gjatë kremtimit solemn eukaristik, në festën e Shën Patrikut, në katedralen e Armah.
Në homelinë e rastit, Primati irlandez, i cili këto ditë është kujtuar lidhur me fshehjen e mundshme të një rasti të pedofilisë, vërtetuar në vitet ’70, u shprehu keqardhjen e tij të thellë të gjithë atyre, që e ndjejnë veten të tradhtuar nga ndonjë mungesë e tij. “Duke shikuar të kaluarën – tha – më vjen turp, sepse nuk kam qenë në lartësinë e vlerave, që praktikoj e në të cilat besoj”. Hirësia e Tij i ftoi besimtarët të frymëzohen nga shembulli i Shën Patrikut, për të filluar procesin e risimit të Kishës irlandeze. Proces që, së pari, nis nga ‘dëgjimi i sinqertë, në lutje, i Fjalës së Zotit’.
Në radhë të dytë - vijoi Kardinali Bredi - kemi nevojë të dëgjojmë zërin e Shpirtit Shenjt. E ndërsa kërkojnë zërin e Shpirtit në kohën tonë, besimtarët irlandezë duhet të impenjohen në mënyrë më aktive në gjirin e Kishës.
Së fundi – shtoi – duhet të vijojmë përvujtërisht ta ndjejmë thellë dhimbjen e shkaktuar prej shpërdorimit të fëmijëve nga ana e disa priftërinjve dhe rregulltarëve e nga përgjigjja dramatikisht e papërshtatshme, që iu dha në të kaluarën këtyre shpërdorimeve.
Në përfundim Kardinali Bredi vuri në dukje se periudha e përgatitjes së Kongresit Eukaristik Kombëtar të 2012-tës, do të jetë rast për t’i pranuar mëkatet sinqerisht, vërtetësisht e pa asnjë kusht.







All the contents on this site are copyrighted ©.