Papa shkon në Mbretërinë e Bashkuar nga data 16 deri më 19 shtatorin e ardhshëm, me
ftesë të mbretëreshës.
(16.03.2010 RV)Benedikti XVI do të shkojë për vizitë në Britaninë e Madhe nga
data 16 deri në datën 19 të shtatorit të ardhshëm. Kështu lajmëron me anë të një komunikate
mbretëresha Elizabeta II. Mbi këtë udhëtim apostolik, i pari i një Pape me statusin
e “vizitës shtetërore”, u mbajt në Londër një konferencë shtypi e përbashkët e qeverisë
dhe e konferencave ipeshkvnore të Skocisë, Anglisë dhe Uellsit. “Një rast pa
precedent për të forcuar lidhjet ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Mbretërisë së Bashkuar
përsa u përket nismave globale dhe për të vlerësuar rolin e rëndësishëm të fesë në
krijimin e bashkësive të qëndrueshme”: kështu u shprehën ipeshkvijtë për gazetarët.
Papa do të pritet nga mbretëresha Elizabeta më 16 shtator në Pallatin Holirud-hauz
në Edimburg të Skocisë. Ati i Shenjtë do të mbajë një fjalim për shoqërinë civile
britanike në Uestminster. Në Koventri do të kremtojë Meshën në të cilën do të shpallet
i Lum teologu i madh Xhon Henri Njuman. Momente të tjera të rëndësishme të vizitës
do të jenë Mesha në Glasgou, lutja në Londër, takimi me botën e kulturës dhe vizita
te kryeipeshkvi i Kanterburit dhe primatit të Bashkimit Anglikan në Lambet. Gjithashtu,
Papa do të lutet me krerët e besimeve të tjera të krishtera në Abacinë e Uestminsterit.
Në një mesazh video në faqen e internetit, që i kushtohet vizitës së Benediktit
XVI në Britaninë e Madhe, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Anglisë e të Uellsit,
imzot Vinsent Nikols nënvizon se është hera e parë që një Papë ftohet të vizitojë
Mbretërinë e Bashkuar nga vetë mbretëresha: “Ky – pohon imzot Nikols – është
një moment thellësisht domethënës për krejt vendin e natyrisht për bashkësinë katolike”.
Shpresoj, shton ai, që do të tregojë se bashkësia katolike është me të vërtetë e aftë
të kontribuojë në mirëqënien e kombit. Katolikët mund ta mbështesin këtë mision duke
qenë të pranishëm e duke u lutur me Papën, por edhe duke shfaqur gëzimin, që vjen
nga feja, në mënyrën me të cilën i bëjnë gjërat. Për të përgatitur
udhëtimin, nga ana e qeverisë britanike, është caktuar ministri Xhim Marfi, i cili,
gjatë konferencës për shtyp, vuri theksin në rëndësinë e ndikimit që ka Selia e Shenjtë
dhe Papa në fusha të ndryshme ndërkombëtare dhe në dialogun ndërmjet feve. Edhe Papa
Gjon Pali II pati shkuar në Britaninë e Madhe në vitin 1982, por jo në vizitë shtetërore.
Po atë vit, u vendosën marrëdhëniet e plota diplomatike ndërmjet Vatikanit dhe Mbretërisë
së Bashkuar.