2010-03-16 17:24:06

Komisioni i ligjeve rrëzon amendamentin e PS-së për hapjen e kutive


(16.3.2010 RV)Në Shqipëri i komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi sot vetëm me votat e maxhorancës disa amendamente të propozuara nga deputetët e Partisë Demokratike që synonin të përqasnin me vendimet e Gjykatës Kushtetutese përmbajtjen e projektligjit të propozuar nga PS "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin "Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit".
Mbledhja e sotme e komisionit, ku do të shqyrtohej nen për nen p/ligji i socialistëve, nuk arriti të dëgjojë dhe argumentat e opozitës, e cila që në fillim të saj refuzoi të bëhej pjesë e këtij diskutimi, pasi u njoh me amendamentet e propozuara nga maxhoranca për disa nene të draftit të saj.
"Ky qëndrim rrëzon në thelb atë që ne kemi kërkuar, mundësinë e trajtimit si provë të kutive zgjedhore në procesin hetimor parlamentar. Pas kësaj është i pakuptimtë çdo lloj diskutimi tjetër rreth kësaj inisiative. Ajo që ne kemi thënë gjatë gjithë kohës u provua, kriza nuk është një krizë juridike, por një krizë politike dhe zgjidhja e saj mund të vijë vetëm nëse ekziston vullneti politik i lidershipit të PD-së", u shpreh nënkryetari socialist i komisionit të Ligjeve, deputeti Fatmir Xhafaj, pas largimit nga mbledhja.
Ndërsa, deputeti i maxhorancës, Eduard Halimi, largimin e opozitës e cilësoi "mungesë vullneti dhe dëshire për të zbatuar dhe implementuar në projektligjin 'për hetimin parlamentar; të parimeve dhe standarteve kushtetuese, të përcaktuara në vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
"Ne për procedurë iu dhamë kohë deputetëve të PS-së që të komunikojnë me grupin e tyre socialist për të marrë vendimin e duhur politik dhe teknik", tha Halimi për mediat.
Pas largimit të deputetëve të majtë, komisioni i Ligjeve vijoi diskutimin e amendimeve të propozuara nga maxhoranca, për disa nene të nismës ligjvënëse të socialistëve.
Kështu, u miratua neni 1 i propozuar nga PS-ja, së bashku me ndryshimin e propozuar nga PD, nen sipas të cilit komisionet hetimore nuk mund të kenë objekt dhe as mund të hetojnë çështjet e gjykuara nga gjykatat e vendit dhe as të hetojnë çështje, fakte apo kompleks faktesh për të cilat është regjistruar kallëzim penal në prokurori ose kur ato janë në shqyrtim gjyqësor.
Më pas komisioni i Ligjeve miratoi dhe nenin 2, sipas të cilit komisioni hetimor do të zgjasë 3 muaj, nga 24 muaj që kishte propozuar PS-ja.
Ndërkohë, maxhoranca rrëzoi nenin 3 të propozuar nga PS, i cili kërkonte shumicë në komisione edhe për hetime të tjera, ndërkohë që Partia Demokratike propozoi që opozita të ketë shumicën në komisionin hetimor vetëm për hetimin e zgjedhjeve të 28 Qershorit.
Më pas, deputetët e maxhorancës rrëzuan nenin vendimtar për sa i përket kërkesave të PS, atë të hapjes së kutive të votimit. Neni 4 i draftit që synonte transparencën përmes hapjes së kutive, nuk u pranua, pasi sipas maxhorancës, "nuk mund të hetohen çështjet për të cilat është shprehur gjykata. Ata ranë dakord që PS është e lirë të hetojë çdo gjë tjetër për zgjedhjet, veç këtyre çështjeve, ka një vendim gjykate.







All the contents on this site are copyrighted ©.