2010-03-16 15:11:46

Ipeshkvijtë e Burkina Fazos dhe Nigerit në vizitën e tyre ad Limina në Vatikan: një Kishë në rritje, e angazhuar në frontin e drejtësisë e të paqes.


(16.3.2010 RV)Ipeshkvijtë e Burkina Fazo-Nigerit kanë filluar dje në Vatikan vizitën e tyre “ad Limina Apostolorum”, vizitë që të gjithë ipeshkvijtë e botës e bëjnë një herë çdo 5 vjet tek varret e Apostujve në Vatikan.
Ipeshkvijtë e këtyre dy Vendeve të Afrikës i sjellin Papës dhe Selisë së Shenjtë gëzimet dhe vuajtjet e dy Shteteve ndër më të varfrat e botës, të goditura nga drama e thatësisë. Bashkësia e krishterë në këto Vende është pakicë e mundohet të bashkëjetojë në harmoni e paqe me shumicën myslimane. Mbi situatën e Kishës në Burkina Fazo të dëgjojmë presidentin e Konferencës ipeshkvnore të këtij vendi, imzot Séraphin Fransua Rouamba.
“Së pari regjistrojmë një rritje të vazhdueshme të numrit të besimtarëve të pagëzuar. Vetëm në dioqezën time çdo vit kemi afër 5000 pagëzime të fëmijëve e 4.800 pagëzime të të rriturve e kjo tashmë ndodh prej shumë vitesh. Kisha në Burkina Fazo gëzon shëndet të mirë mirëpo sot ka para vetes edhe sfida të mëdha, me të cilat duhet të ballafaqohet. Para së gjithash ekziston nevoja e promovimit të Bashkësive të krishtera bazë, sepse pikërisht në këto bashkësi të vogla, të krishterët ndjehen si në një familje e mund të ndajnë së bashku fenë e tyre, dashurinë e tyre dhe shpresat e tyre.
Pastaj kemi problemin e inkulturimit: jemi të bindur se nëse nuk e ungjillëzojmë kulturën tonë, nuk do të mund t’i ungjillëzojmë në thellësi as besimtarët tanë, e kështu do të mbetej një ungjillëzim sipërfaqësor. Më tej kemi edhe problemin e katekistëve apo mësuesve të doktrinës së fesë, që kanë një përgjegjësi tejet të madhe në veprën e ungjillëzimin.
Duhet theksuar se në shumë vende, për shkak të mungesës së priftërinjve, katekistët janë e vetmja shprehje e Kishës, e sipas nesh përgatitja dhe azhurnimi i tyre është çështje urgjente dhe e rëndësishme. E kjo vlen edhe për të gjithë besimtarët laikë, roli i të cilëve gjithmonë ka qenë shumë i rëndësishëm në Kishën tonë si dëshmitarë të Ungjillit kudo që gjenden e si tharmi i kësaj bote të re që lind me Jezu Krishtin. Nëse don të vazhdojë të rritet, Kisha duhet të jetë misionare: duhet ta shpallim fenë tonë kudo, edhe jashtë Vendit. Kisha-Familje e Bukrina Fazos - e cila ka marrë shumë - tani duhet të di edhe të jap po aq shumë.
Imzot Rouamba, si janë marrëdhëniet me shumicën myslimane dhe me ithtarët e feve tradicionale të Afrikës?
Duhet të them se të krishterët, myslimanët e ithtarët e feve tradicionale shkojnë mirë njëri me tjetrin e janë në harmoni. Mjafton të përmendim se myslimanët, nganjëherë marrin pjesë deri në Meshët tona. Është qartë se kur shohim lindjen e disa lëvizjeve shqetësuese, kemi frikë, mirëpo në të njëjtën kohë ekziston një mirëkuptim ndërfetar i konsoliduar. Kemi edhe raste tjera, kur për shembull, disa tregtarë myslimanë kanë ardhur tek unë për të më dhënë kontributin e tyre për ndërtimin e një Kishe. Arsyeja është e thjeshtë: aty ku ndërtohet një Kishë dihet se do të ketë edhe një shkollë si dhe një ambulancë, e meqenëse katolikët nuk bëjnë diskriminime, nga këto struktura përfiton dhe gëzon e tërë popullsia.







All the contents on this site are copyrighted ©.