2010-03-15 15:09:09

Sot me 15 mars kalendari Kishtar përkujton Shën Luizës dë Marijak


(15.03.2010 RV)Luiza lindi më 1591 në Ferrier. Kaloi një fëmijëri të trazuar. Si mbeti jetime nga i ati, pas vitit 1604 iu besua një zonjusheje të varfër, që ka shumë mundësi të ketë qenë e ëma, e cila e detyroi menjëherë të punonte. U rrit duke punuar rëndë e duke gjetur të vetmin ngushëllim në Kishë.
I lindi kështu dëshira të bëhej rregulltare. Po familjarët, në kundërshtim me dëshirën e saj, në vitin 1613 e martuan me stallierin e sekretarin e Maria de’ Mediçi, Antonio le Gras. Bisedat e vazhdueshme me Françeskun e Sales, të cilin e takoi për herë të parë në Paris në vitin 1618, e ndihmuan Luizën ta duronte vuajtjen e rëndë shpirtërore.
Më pas, në vitin 1624, falë takimit me Vinçencin de’ Paoli, u bë bashkëthemeluese e Institutit të Bijave të Dashurisë. Pak më vonë, në vitin 1625, pas vdekjes së të shoqit dhe hyrjes në seminar të të birit, Mikelit, nisi të strehonte në shtëpinë e vet vajzat e para që dëshironin të viheshin në shërbim të të varfërve, në bashkëpunim me Zonjat e dashurisë. Ishte bërthama e parë e Kongregatës së re, të cilën Shën Luiza e udhëhoqi deri sa vdiq, më 15 mars 1660.
Luiza de Marijak ishte, pra, një grua me fe të fortë dhe të gjallë e lidhur me Zotin. Kishte dashuri të madhe ndaj Zojës së Bekuar. Kishte edhe përshpirtëri të madhe ndaj Shpirtit Shenjt. Shenjtën Trini e paraqet si model bashkimi për çdo bashkësi rregulltare të motrave. Ajo ndjente dhembje për nevojat e të afërmit për çka përkujdeset pa kursim. Ishte grua komunikative, me prirje të jashtëzakonshme për organizim. Me një fjalë, shën Luiza ishte vepër e mrekullueshme e Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.