2010-03-15 17:06:29

Papa të rinjve në Mesazhin për Ditën e 25-të Botërore të Rinisë: pavarësisht nga vështirësitë, mos hiqni dorë nga ëndrrat; refuzojeni lirinë pa vlera.


(15.03.2010 RV)“Mosha juaj është pasuri e madhe, jo vetëm për ju, por edhe për të tjerët, për Kishën e për botën”. Me këto fjalë u drejtohet Papa të rinjve, në Mesazhin për Ditën e 25-të Botërore të Rinisë, që do të kremtohet më 28 mars, të Dielën e Larit. Është kremtim në nivel dioqezan. I paraprin takimit të madh botëror të të rinjve, që organizohet çdo dy vjet. Takimi i ardhshëm është caktuar tashmë. Do të mbahet në gusht 2011, në Madrid.
Por, të njihemi më hollësisht me Mesazhin e Papës, drejtuar të rinjve në mbarë botën.
“Krishterimi nuk është në radhë të parë moral”- pohon Benedikti XVI, duke shtuar se është kryesisht “takim me Jezu Krishtin”. Papa shpjegon: Krishterim do të thotë ta provosh se Krishti na do personalisht e se këtë e bën, edhe kur i kthejmë shpinën. Në këtë dashuri gjendet burimi i gjithë jetës së krishterë – thotë Papa. E pikërisht kjo dashuri na jep forcë t’i kapërcejmë të gjitha provat: zbulimin e mëkateve tona, vuajtjen, çkurajimin. Prandaj Benedikti XVI u drejton të gjithë të rinjve ftesën: “Dëgjojeni zërin e Zotit, i cili ka një plan dashurie për secilin nga ju”.

E prej këndej buron edhe tema e DBR-së së sivjetme: “Mësues i mirë, ç’duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?”. Është pyetja e të riut pasanik në takimin me Jezusin, takim që – shpjegon Papa – dëshmon qartë vëmendjen e madhe të Krishtit për të rinjtë. Jezusi – vijon Ati i Shenjtë - ka dëshirë ta takojë secilin nga ju personalisht, të nisë dialogun me secilin.
Ashtu si i riu i pasur i Ungjillit, që e pyet Jezusin ç’duhet të bëjë, ndoshta edhe ju – vijon Papa – jetoni në situata të vështira, të trazuara, të turbullta, të dhimbshme, që ju shtyjnë të kërkoni një jetë të re, larg mediokritetit e, me të drejtë, edhe të pyesni: “Si mund të ec në rrugën drejt një jete të vërtetë? Si mund ta realizoj? Ç’duhet të bëj? Ç’ plan duhet të hartoj për jetën time?”. Mos kini frikë t’i bëni këto pyetje – shton Benedikti XVI. E sidomos, t’u jepni përgjigje. Ato shprehin aspiratat tuaja, ëndrrat, që i keni në thellësi të zemrave. Zëri i zemrës duhet dëgjuar, duhen bërë përpjekje për t’i realizuar ëndrrat në jetë. E Papa i fton të rinjtë t’ia venë mirë veshin dhe thirrjes për jetën meshtarake, për jetën rregulltare ose familjare, duke shkuar edhe kundër rrymës, në se këtë e kërkon Ungjilli.

Benedikti XVI kujton se mendësia aktuale propozon një liri pa vlera, pa rregulla, pa norma objektive. Të fton ta kapërcesh çdo kufi, kur është fjala për të realizuar dëshirat e çastit. Po ky lloj propozimi – pohon Papa – në vend që t’i prijë drejt lirisë së vërtetë, e shtyn njeriun të bëhet skllav i vetvetes, i dëshirave të tij të çastit, i idhujve, si pushteti, paraja, kënaqësia e shfrenuar.
Papa kujton edhe vështirësitë e botës rinore, të cilat i njeh mirë: “Të rinjve të sotëm – thotë - u duhet të përballojnë probleme të mprehta, pasojë e papunësisë, e mungesës së idealeve e të perspektivave të sigurta për të ardhmen. Pavarësisht nga këto, Benedikti XVI i fton të mos i harrojnë dhuratat, që Zoti i ka mbyllur në zemrën e secilit. I këshillon të rinjtë të përgatiten seriozisht për jetën e të studiojnë, për t’i shërbyer me aftësi të larta profesionale e me bujari, së mirës së përbashkët. I fton gjithashtu të kultivojnë në zemër dëshirat fisnike të vëllazërimit, të drejtësisë e të paqes e t’i vënë me fryt në jetë, talentet e mundësitë e tyre.
Pavarësisht nga vështirësitë – u thotë Benedikti XVI të rinjve – mos i humbisni shpresat e mos hiqni dorë nga ëndrrat. Dita, tashmë e afërt, Botërore e Rinisë, që do ta kremtojmë të Dielën e Larit, është e 25-ta: 25 vjet më parë, Gjon Pali II i hapte udhën asaj, që Papa e quan “takim i përvitshëm i të rinjve besimtarë në mbarë botën”.
Në këtë përvjetor, Benedikti XVI u dorëzon të rinjve porosinë: “Ardhmëria është në duart e atij, që di të kërkojë dhe të gjejë arsye të forta për të jetuar e për të shpresuar”.







All the contents on this site are copyrighted ©.