2010-03-15 17:09:19

Në Francë fiton abstenimi në zgjedhjet administrative. Humb Sarkozì.


(15.03.2010 RV)Në Francë u zhvilluan dje zgjedhjet administrative, të cilat u bojkotuan nga 53% e zgjedhësve. Provë negative për formacionin e presidentit Sarkozì, i cili i lë vendin së majtës. Partia Socialiste fiton gati 30% të votave dhe bëhet kështu partia e parë e vendit. Arrin një rezultat të papritur edhe fronti kombëtar i Zhan-Mari Lë Pen. E djathta ekstreme e kapërcen 11%-shin dhe do të jetë e pranishme të dielën e ardhshme në shumicën e ballotazheve.
Gjithsesi, e dhëna më e rëndësishme është mospjesëmarrja e zgjedhësve në votime. 53%-shi i abstenimit është rekord historik për Francën, djep i demokracisë për Evropën. Humbja e presidentit Sarkozì pritej, siç shpjegon nga Parisi, korrespondenti i gazetës italiane “La Stampa”, Domeniko Kuiriko:
Sinjali politik është i qartë: humbje e fortë e së djathtës së presidentit Sarkozì dhe fitore – mund të themi edhe “rilindje” – për Partinë Socialiste të majtë. Në të vërtetë, socialistët fituan pavarësisht nga socialistët, në kuptimin që argumenti më i mirë zgjedhor i socialistëve ka qenë politika e presidentit Sarkozì, gabimet e tij, antipatia që ka shkaktuar kohët e fundit. Socialistët mbeten një parti e vjetër, e përçarë, grindjet e brendshme të së cilës do të dalin sërish në pah sapo të diskutohet për zgjedhjen e kandidatit në presidencialet e vitit 2012. Pavarësisht nga kjo, duhet thënë se ajo është një parti e rrënjosur në territor dhe në zgjedhjet lokale ka pasur gjithnjë sukses të konsiderueshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.