2010-03-15 17:08:20

Masakrat e harruara në verilindje të Republikës Demokratike të Kongos


(15.03.2010 RV)Verilindja e Republikës Demokratike të Kongos vazhdon të përjetojë valën e vrasjeve, të kryera nga rebelët e së ashtuquajturës “Ushtri e Rezistencës së Zotit (LRA)”, përgjegjëse për shkatërrimin dhe plaçkitjen e fshatrave të tëra. Sipas vlerësimeve të OKB-së, së paku 1200 civilë janë masakruar që nga shtatori 2008 deri në qershorin e 2009-ës. Heshtja e mediave dhe pafuqia e autoriteteve qeveritare janë shpesh korniza e këtyre masakrave, të cilat bëhen nga rebelët ugandezë nën hundën e 17 mijë helmetkaltërve të Kombeve të Bashkuara. Të dëgjojmë denoncimin e ipeshkvit të dioqezës së Bokungu-Ikelës, imzot Fridolin Ambongo Besungu, njëkohësisht kryetar i Komisionit për drejtësi e paqe në Konferencën Ipeshkvnore Kongoleze:
Askush nuk flet, flasin vetëm kur ka ndonjë emergjencë, por problemet ekzistojnë, megjithëse ka përmirësime të vogla. Sot, në Dungu, njerëzit kthehen në fshatin e tyre. Ata që kishin ikur, kthehen me ndihmën e ushtarëve kongolezë dhe ugandezë. Por në pjesën e Doumës, ku është selia e dioqezës, nuk ka ndryshime. Ata që kanë ikur nga shtëpitë për të shpëtuar nga sulmet e Ushtrisë së Rezistencës së Zotit nuk duan të kthehen, pasi nuk ka asnjë siguri për ta.







All the contents on this site are copyrighted ©.