2010-03-15 17:06:44

Benedikti XVI gjatë vizitës në Bashkësinë luterane të Romës: ta shikojmë me besim Krishtin, për të vijuar rrugën e ekumenizmit.


(15.03.2010 RV)Një bashkim, që kalon nëpër shumë udhë: ky është realiteti i të krishterëve; realitet i cili, megjithëkëtë, nuk duhet të shikohet me trishtim, por duhet të na nxisë t’i lartojmë Zotit lutjen, që të gjithë të jenë një gjë e vetme. Ky është thelbi i reflektimit të Benediktit XVI gjatë vizitës së djeshme në Bashkësinë luterane të Romës.
Nuk mund të jesh i krishterë, pa bashkësi - nënvizoi më pas Papa, duke folur pa tekst, në gjuhën gjermane - e edhe në se mungon ende bashkimi, nuk duhet të mungojë shpresa, por duhet vijuar rruga e ekumenizmit, me sytë e ngulur tek Krishti.
Është njeriu ai, që e shkatërroi këtë udhë, të hapur nga Krishti, i cili u bë i pari kokërr gruri, duke vdekur për të gjithë. Jemi ne, që e copëzuam në shumë udhë, udhën e vetme të dashurisë, të dhurimit pa asnjë rezervë të vetvetes, për të afërmin. Benedikti XVI e përshkroi kështu bashkimin, që mungon akoma ndërmjet të krishterëve; atë bashkim, i cili duhet të vijojë të përparojë e që u copëzua nga paaftësia për të ecur në rrugën e treguar nga Jezusi.
Kjo rrugë kërkon të pranosh Kryqin e Krishtit e të ndash shpresa e dhimbje, duke e dashur të afërmin me një dashuri të pakufishme; pikërisht si ajo, që dëshmoi vetë Jezusi. Dashuri për të cilën Shën Gjoni Ungjilltar na kujton se u përket të gjithëve, pa kurrfarë dallimi:
“Dass wir miteinander mit Ihm gehen…
Për të qenë të krishterë duhet të jemi ne - bashkësi – shpjegoi Papa – por bashkësia e krishterë ka pësuar shumë ndarje, e pikërisht që këtu lind ekumenizmi, përpjekja për të rinisur rrugën së bashku”.
Katolikë e luteranë përshkojnë rrugë të ndryshme që nga Shekulli XVI, kur Luteri pohoi se njeriu shëlbohet vetëm për hir të Hyjit, domethënë, për fe, duke kundërshtuar doktrinën katolike, sipas së cilës shëlbimi vjen nga hiri hyjnor e nga meritat e fituara përmes veprave të mira. Deklarata e përbashkët katoliko-luterane mbi shfajsimin e 31 tetorit 1999, hapi rrugën ekumenike, duke pohuar se në fjalën ‘hir’ përmblidhen feja e veprat e mira.
“Dass Er zuletzt sie schenken kann…
Vetëm Zoti mund ta japë bashkimin- vërejti Benedikti XVI – sepse, i ndërtuar nga njerëzit, do të ishte i brishtë, prandaj duhet të lutemi, t’ia kërkojmë Zotit”.
E në se pamundësia për t’u mbledhur rreth të njëjtit Kelk mund të na trishtojë – reflektoi Papa – duhet të ngulim këmbë, si na e kujton e Diela e galdimit – kremtuar dje - e cila i fton të krishterët, që vijojnë udhën e Krezhmëve, t’ia ngulin sytë Zotit, duke lënë mënjanë çdo shqetësim, sepse dashuria e tij na tregoi jetën përtej vdekjes.

U prit me gëzim të madh Benedikti XVI në Christuskirche. Doris Esch, kryetare e Bashkësisë luterane, kujtoi hapat që i kanë afruar katolikët me luteranët: vizitën e Gjon Palit II 25 vjet më parë dhe nënshkrimin e Deklaratës së përbashkët, 10 vjet më parë:
"Beide Jubiläm, beide Erinnerungen...
Të dyja përvojat janë të gjalla e të rëndësishme në bashkësinë tonë – tha Doris Esch – e na japin zemër të vijojmë ecjen në rrugën e ekumenizmit”.
Edhe pastori Jens-Martin Kruze foli për gëzimin, duke nënvizuar se gëzimi i të krishterit buron nga besimi në Zotin:
"Wer oder was sollte glaubwürdiger, verlässlicher...
Kush apo cila gjë mund të jetë më e besueshme se Zoti, që fillon nga gjendja jonë njerëzore, por nuk ndalet atje, ku mundësitë e forcat tona shterrojnë?”.
Ndoshta – vijoi - dashuria e Zotit, në realitetin e kësaj bote, dështon mbi kryq. Por Hyji, duke e ruajtur lidhjen me Jezusin e kryqëzuar, përmes e përtej vdekjes, e duke e rizgjuar në agimin e Pashkëve, dëshmoi se është Zot i jetës, se atje, ku ne shikojmë vetëm vdekje e shkatërrim, Ai krijon një jetë të re.
Katolikët e luteranët vërtet janë të ndarë, por ecin së bashku drejt Krishtit - shtoi Pastori Kruze – e në se jemi këtu, njëri për tjetrin, në se ndajmë së bashku e kremtojmë gëzimin e fesë, atëhere ky do të jetë edhe një hap tjetër themelor, për ta bërë të dukshëm e të frytshëm bashkimin.
Këtyre fjalëve u bëri jehonë Benedikti XVI. Edhe Papa, në këtë takim me luteranët, shikon një hap të ri, të rëndësishëm, drejt bashkimit. Fryma e bashkimit nuk mungon – tha në përfundim Papa - sepse të gjithë së bashku i kemi ngulur sytë mbi të vetmin Krisht. Rruga e ekumenizmit duhet vijuar – inkurajoi Benedikti XVI:
"Dass er damit uns wirklich...
Të lutemi që Zoti të na e dhurojë bashkimin, që kështu bota të besojë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.