2010-03-14 13:49:59

Shenjtorët e javës sipas Kalendarit kishtar


Sot e diel 14 mars, Kisha katolike kremtoi të Dielën e 4-të të Krezhmëve e po sot kalendari Kishtar përkujtoi edhe Shën Matilden, mbretëreshë dhe të Lumin Plaçido Rikardi, murg në bazilikën e Shën Palit jashtë mureve të Romës. Shembulli i tyre na kujton se të jesh i krishterë nuk do të thotë vetëm t’u bindesh urdhërimeve të Tënzot. Kryesisht duhet të dëgjosh Krishtin, që është Rruga, e Vërteta e Jeta dhe ta zbatosh Fjalën e tij.


Liturgjia e Fjalës së Zotit, që do të ndjekim të hënën e ardhshme më 15 mars, në festën e Shën Zakarisë papë; të Shën Luizës de Marijak, bashkëthemeluese e Bijave të dashurisë e të Shën Klementit Hofbauer, meshtar redentorist, na kujton rëndësinë e dëgjimit të fjalës së Zotit e të ballafaqimit me të, sa herë që, si farizejtë, tundohemi të gjykojmë njerëz e ngjarje.

Shën Hilari e Shën Taciani, martirë të Akuilesë, që do të kremtohen të martën më 16 mars, na kujtojnë se Zoti ka fjalët e jetës së amshuar, se është dashuri e se na fton të duam e të duhemi. Në festën e tij Kisha na kujton se Jezusi erdhi në botë për të sjellë paqen e njeriut, duke pajtuar mbarë njerëzimin me Hyjin. Përçarjet lindin nga mospajtimi me vetë misionin e Jezusit.

Shën Patriku, ipeshkëv, apostull i Irlandës dhe shën Gjoni Sarkandër, që do të festohen të mërkurën më 17 mars, na kujtojnë ftesën e përsëritur të Zotit për t’u penduar, ndonëse Ai i Lumi e di mirë se do të mëkatojmë përsëri. Atij i intereson që ne t’i flakim maskat e hipokrizisë e të pranojmë haptazi se kemi tepër nevojë për t’u shëlbuar.

Të enjten e ardhshme më 18 mars kalendari Kishtar përkujton Shën Çirilin, ipeshkëv i Jerusalemit e doktor i Kishës si dhe Shën Anselmin, ipeshkëv i Lukës. Këta shenjtorë na kujtojnë se në këtë shtegtim krezhmor duhet të ndalohemi dhe një herë e të meditojmë mbi Jezusin e mbi veprat që kreu, për t’i besuar kështu me gjithë zemër e për t’i lartuar lutjen: “Dëgjoje, o Zot, britmën e njeriut të varfër, që të lutet!”.
 
Të premten më 19 mars, do të kremtojë Shën Jozefin, fatin e Zojës së Bekuar, Pajtor i Kishës universale. Është dita e emrit të Papës Jozef Ratzinger dhe e Arqipeshkvit shqiptar të Tivarit Imzot Zef Gashit.
Festa e Shenjtit na bind se mënyra si veproi Zoti me Shën Jozefin, është po ajo që përdor edhe sot: Hyji i gjen gjithnjë njerëzit e përshtatshëm, në çastet kur dëshiron të realizojë planet e tij, sepse Zoti i mban premtimet e veta.

Liturgjia e festës së Shën Gjon Nepomuçenit dhe Shën Klaudies të shtunën e ardhshme më 20 mars, të kujton se Jezusi është gjithnjë i gatshëm ta ndihmojë secilin prej nesh.Liturgjia e festës së tyre na nxit të meditojmë se largimi i Jezusit në vende të vetmuara nuk do të thotë se ai i braktisë nxënësit e vet. Vetëm kur Ai është në barkë bashkë me ta, frika zhduket e barka i afrohet bregut aq të dëshiruar.
 
Të dielën që vjen më 21 mars, Kisha kremton të dielën e V të Krezhmëve e po këtë ditë kalendari Kishtar përkujton edhe Shën Nikollën nga Flye, Pajtor i Zvicër. Figura e tij na kujton se Zoti na do deri në atë pikë, sa të na dhurojë të Birin e vetëm, duke pranuar vdekjen e tij në kryq për të na çliruar ne nga vdekja e amshuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.