2010-03-14 13:36:33

E Diela e galdimit.


(14.03.2010 RV)E diela, në të cilën bashkësia ungjillore-luterane romake kremton liturgjinë me Ipeshkvin e Romës, Papën Benedikti XVI, në Christuskirche, quhet e diela e galdimit. Në periudhën e Krezhmëve, kjo e dielë shënon një çast krejt të veçantë. Emri i saj rrjedh nga fjalët e para të antifonës së hyrjes në gjuhën latine: “Laetare cum Hierusalem, et exultate in ea, omnes qui diligitis eam” që, të përkthyera në shqip, tingëllojnë kështu: “Gëzohuni me Jeruzalemin; galdoni për të, ju që e doni (Is 66. 10). Gëzimi është ndjenja kryesore, që e përshkon këtë të dielë. Në rrugën e vështirë drejt Jeruzalemit, është vezullimi i parë i atij gëzimi, që do të bëhet realitet në agimin e Pashkëve. Ashtu si Moisiu e shikon nga larg Tokën e Premtuar, kështu edhe ne, në të Dielën e galdimit, shikojmë nga larg festën e Pashkëve. Nga tekstet biblike të kësaj së diele buron shpresa: një rreze drite çan errësirën e ndriçon rrugën.
Ky gëzim buron nga veprimi shëlbues i vetë Zotit i cili, siç thotë Shën Pali Apostull, “Është Zoti i çdo ngushëllimi”. Në të vërtetë Zoti “na jep çdo ngushëllim. Ai na ngushëllon në të gjitha vështirësitë tona, që edhe ne të mund t’i ngushëllojmë të gjithë ata, që gjenden në vështirësi (2Kor 1,3s)
E në këtë mënyrë, Ungjilli na dëshmon se Hyji, me vuajtjen e me vdekjen e Jezu Krishtit, do të krijojë një jetë të re, të pamort: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: Në se kokrra e grurit të mbjellë nuk vdes, jet e vetme; por në se vdes, jep shumë fryt” (Gjn 12,24). 







All the contents on this site are copyrighted ©.