2010-03-14 13:36:46

Dialogu katoliko-luteran.


(14.03.2010 RV)Bashkimi i plotë e i dukshëm është qëllimi kryesor i dialogut katoliko-luteran, që nga faza e parë e rrugës së tij. Kjo fazë nisi në vitin 1976 e përfundoi me dokumentin “Ungjilli e Kisha”, që njihet edhe si “Raporti i Maltës” (1972). Dokumenti shënonte një fillim tejet premtues.
Më pas të dyja palët u mirëkuptuan për tema të cilat, që nga koha Reformës, shikoheshin si burim i përçarjes ndërmjet kishave, siç janë “Ungjilli e tradita” dhe “Shfajsimi”.
Në vijim të fazës së dytë të dialogut, u thelluan çështje të tjera si: “Darka e Mbrame e Zotit” (1978); “Rruga drejt bashkimit”(1980), “Të gjithë nën të njëjtin Krisht” (1980), me rastin e 450- vjetorit të kthimit të Shën Augustinit ; “Shërbimi i meshtarit në Kishë” (1981), “Martin Luteri, dëshmitar i Jezu Krishtit” (1983), me rastin e 500-vjetorit të lindjes së Luterit; “Bashkimi para nesh” (1984), dokument në të cilin u fol për modelin, fazat e format e bashkimit katoliko-luteran. Gjatë bisedimeve, u pa qartë se të gjitha temat e diskutuara, lidhen ngushtësisht me çështjen ekleziologjike. Njëkohësisht u thellua vetëdija se ndasitë konfesionale nuk do të mund të kapërceheshin aq lehtë, si ishte shpresuar në fillim.
Faza e tretë e dialogut, nga viti 1986, deri në vitin 1993, u mor me kuptimin ekleziologjik të doktrinës së shfajsimit; kjo fazë çoi në botimin e dokumentit “Kisha e shfajsimi”, në vitin 1994. Ishte e qartë se një mirëkuptim i mundshëm mbi doktrinën e shfajsimit, duhej argumentuar mbi baza ekleziologjike. Bisedimet, zhvilluar vetëm në nivel ndërkombëtar, çuan më 1999, në nënshkrimin zyrtar të “Deklaratës së Përbashkët mbi doktrinën e shfajsimit”, nga Federata Luterane Botërore dhe Kisha katolike. Pas këtij dokumenti, divergjencat doktrinore që mbetën të pazgjidhura, nuk shikohen më si përçarëse.
Me botimin, në vitin 2006, të një studimi me temë “ Karakteri apostolik i Kishës”, Komisioni ndërkombëtar për bashkimin katoliko-luteran, përfundoi fazën e katërt të dialogut.
Faza e pestë, e nisur më 2009, zgjodhi si temë: “Pagëzimi dhe bashkimi kishtar, në rritje”. Pritet të hartohet edhe një tekst i përbashkët me rastin e përvjetorit të Reformës, që do të kremtohet më 2017.Në nivelin e bashkimit ekumenik, katolikët e luteranët arritën rezultate shumë më të mëdha, se ato që përfytyroheshin 40 vjet më parë, ndonëse nuk janë kapërcyer ende të gjitha mosmarrëveshjet. Megjithatë, duhet theksuar se atmosfera ekumenike e përgjithshme, sot është krejt e ndryshme në krahasim me atë të periudhës paskonciliare.







All the contents on this site are copyrighted ©.