Përkujtojmë sot Fan Nolin në 45-vjetorin e vdekjes.
(13.03.2010 RV)Noli lindi në Qytezë, fshat i banuar nga shqiptarë në rrethin
e Edrenesë, më 6 janar të vitit 1882. E gjatë dhe shumë e pasur në ngjarje jeta e
tij, që e çoi nga në vise të ndryshme të botës, e edhe në Shqipëri. U nis
nga Qyteza në Greqi, nga Greqia në Egjipt e, që këtu, në Sh.B.A. ku luajti rol udhëheqës
në përpjekjen për bashkimin e shoqërive shqiptare dhe për botimin e gazetës Kombi.
Në këto vite Noli krijoi vargjet e para, duke nisur edhe shqipërimet, shkroi drama,
botoi artikuj në gazetën "Drita", përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit "Shqipëria
ç'ka qenë, ç'është e ç'do të bëhet"… Megjithëse jetoi larg Shqipërisë, dha shumë për
të. Në moshën 27 vjeçare, kur shqiptarët ortodoksë të Amerikës kërkonin
të shpëtonin nga kontrolli i ortodoksisë greke mbi kishën, Noli u dorëzua prift. Si
prift ortodoks kremtoi për herë të parë liturgjinë në gjuhën shqipe në sallën "Knights
of Honor" në Boston. Ky akt përbënte hapin e parë drejt organizimit dhe njohjes zyrtare
të Kishës Ortodokse Shqiptare Autoqefale. Në vitin 1913 vizitoi për herë të parë Shqipërinë
dhe kremtoi të parën shërbesë kishtare ortodokse në gjuhën shqipe, në prani të princit
Vilhelm Vid. Qe kryeministër, shumë i diskutuar, i qeverisë që doli nga
revolucioni i Qershorit (17 qershor 1924). Pas kthimit të Zogut, u largua përgjithnjë
nga Shqipëria. Në 45-vjetorin e vdekjes përkujtohet si një nga personalitetet
më të shquara të kombit shqiptar, si figurë e shumanshme e letërsisë, kulturës, jetës
fetare dhe politikës shqiptare; si njeri i alternativave, kontradiktave, tensioneve
të brendshme, si poet, dramaturg, muzikant e muzikolog, historian, politikan, publicist.
Noli është edhe një nga përkthyesit më të mëdhenj në shqipet, njohës i thellë
i disa gjuhëve e i gjuhës amtare, peshkop ortodoks që organizoi në Amerikë Kishën
ortodokse autoqefale shqiptare dhe që shqipëroi me shumë sukses një pjesë të mirë
të Shkrimit Shenjt. Me të drejtë përkthimet e tij përdoren edhe sot e kësaj dita për
nevojat e liturgjisë në Kishën ortodokse. Vdiq në Florida më 13 mars të vitit 1965
në moshën 83 vjeçare.