2010-03-12 07:45:09

Sot më 12 mars kalendari Kishtar përkujton shën Maksimiliani i Tebesës, martir


(12.3.2010 RV)Nga rrëfimi “Mbi martirizimin e Shën Maksimilianit”, mësojmë se Shenjti pësoi mundimet më 12 mars të vitit 295 nën konsullatën e Tuskos e të Anulinos, në Tebesë, pranë Kartagjenës.
Maksimiliani ishte bir i veteranit Fabio Viktori e, sipas ligjeve të kohës, duhet të ndiqte karrierën e të atit. Por djaloshi i krishterë nuk e pranoi këtë rrugë, ndonëse ishte plotësisht i aftë për shërbimin ushtarak. U detyrua të shkonte në For e të paraqitej para prokonsullit Dioni, i cili e pyeti për arsyet e mospranimit të karrierës së lavdishme që e priste.
U përgjigj me vendosmëri: “Nuk më lejohet të bëj shërbim ushtarak, sepse jam i krishterë”. E kjo, për dy arsye. Së pari, sepse hyrja në shërbimin ushtarak paraprihej nga një akt kulti kushtuar idhujve; së dyti, sepse kërkonte kryerjen e akteve të dhunës. U bë kështu i pari i krishterë që nuk pranoi të shërbente nën armën që vret, për arsye ndërgjegjeje, në emër të Krishtit.
Kështu, duke dëgjuar zërin e ndërgjegjes, ai që refuzoi të përdorte armën, vdiq nga arma. Ishte vetëm 21 vjeç. Para se të martirizohej, ia fali një ushtari romak uniformën e re, që i ati ia kishte përgatitur për shërbimin ushtarak. Trupi i tij i martirizuar u mbart nga një matronë romake e u varros pranë varrit të Shën Çiprianit.







All the contents on this site are copyrighted ©.