2010-03-12 16:58:13

Në predikimin e Krezhmëve, Atë Kantalamesa uroi që Eukaristia, farë e jetës dhe e vdekjes së Jezusit, t’i shoqërojë meshtarë e laikë gjatë gjithë jetës.


(12.03.2010 RV)RealAudioMP3 Në predikimin e dytë të Krezhmëve, mbajtur në praninë e Papës e të Kuries Romake, Atë Raniero Kantalamesa ia kushtoi meditimin figurës së meshtarit dhe dhuratës së Eukaristisë. Misteri meshtarak – tha predikatari i Shtëpisë papnore, duke folur në Kapelën e ‘Nënës së Shëlbuesit’ të Pallatit Apostolik – i themeluar mbi kumtimin e Ungjillit, merr gjallëri e forcë nga flijimi i Krishtit. Në se dëshiron të jetë vërtetë në shërbim të Zotit, meshtari duhet ta flijojë plotësisht vetveten, ashtu si e flijoi vetë Krishti.
Meshtaria e krishterë nuk mund të shpjegohet ndryshe, veçse në vartësi të pjesëmarrjes sakramentore në meshtarinë e Krishtit. Meshtari në elter nuk përfaqëson vetëm Jezusin “Kryemeshtar”, por edhe Jezusin ‘Kryeviktimë’.
Flijimi eukaristik i meshtarit dhe i mbarë Kishës, pa atë të Jezusit, nuk do të ishte as shenjt, as i pëlqyer nga Zotit, sepse ne jemi krijesa mëkatare. Por edhe flijimi i Jezusit, pa atë të Korpit të tij, që është Kisha, do të ishte i paplotë e i pamjaftueshëm, jo për ta siguruar shëlbimin, por për ta marrë atë”.
Atë Kantalamesa u ndal, më pas, tek Sakramenti i Eukaristisë, shenjë konkrete e hirit të Zotit:
“Jezusi, kur thotë “Merreni korpin tim”, na jep jetën e vet konkrete, të jetuarit e tij në kohë, mundimet, gëzimet e gjithçka që mbushi plot jetën e tij. Duke na thënë: “Merreni, ky është gjaku im”, na jep vdekjen e tij. Eukaristia është farë e jetës dhe e vdekjes së Jezusit”.
T’i zbatosh këto fjalë në jetën e përditshme, për meshtarin do të thotë të dhurojë kohën, fuqitë fizike e gjithçka që i paraprin vdekjes, siç janë pendesët e sëmundjet. E gjithë dita e jo vetëm çasti i kremtimit, është Eukaristi. Eukaristia - shpjegoi Atë Kantalamesa – është e lidhur ngushtësisht me të gjitha çastet e jetës, e posaçërisht, me punën e përditshme:
Eukaristia është fryt i punës së njeriut, e jo vetëm i punës bujqësore, sepse gruri nuk bëhet vetvetiu bukë mbi elter, duhet prodhuar, duhet mbartur, duhet shndërruar. Atëherë ai që punon, e di se mbi elter arrin fryti i punës së tij, se djersa e tij shkon në prodhimin, që i dhurohet Zotit, në Eukaristi”.Eukaristia – përfundoi predikatari i Shtëpisë papnore – është shujtë edhe për të rinjtë, posaçërisht në botën e sotme, ku sundon manipulimi i trupit, i cili shikohet si mjet dëfrimi e shfrytëzimi. Meshtari mund e duhet t’u mësojë të rinjve të mos e japin më trupin e tyre, si ushqim për të shuar epshet. Po si mund të realizohet një mësim i tillë me të rinjtë?
Duke i ndihmuar ta jetojnë Eukaristinë, duke dhuruar korpin e tyre së bashku me Jezusin në Meshë. Atëherë do ta kuptojnë ç’mendim deshi të shprehë Pali, kur tha: lumnojeni Hyjin me trupin tuaj. Kështu trupi nuk bëhet më mjet kënaqësie, që shitet në treg, por bëhet dhuratë, ofertë: në martesë, mjet i dialogut, i transmetimit të jetës; ndërsa në jetën e përkushtuar, flijim, dhuratë për vëllezërit. Ja, pra, kështu e gjithë jeta ndryshon me të vërtetë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.