2010-03-12 17:04:55

Meta pohon:Tirana dhe Beogradi me rol vendimtar për pajtimin e serbëve dhe shqiptarëve


(12.3.2010 RV)Zv/kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ilir Meta ka pranuar se ndërmjet Beogradit dhe Tiranës ekzistojnë dallime sa i përket statusit të Kosovës, por ka theksuar se kjo nuk guxon të rrezikojë bashkëpunimin e ndërsjellë në fushat e tjera. "Në këtë mënyrë do të forcojmë edhe vetë bashkëpunimin ndëretnik dhe kontaktet midis serbëve dhe shqiptarëve edhe në Kosovë, por edhe gjetkë në rajon", ka thënë Meta në një konferencë për shtyp në ditën e dytë të vizitës së tij në Beograd.
Ai theksoi se "megjithë mospajtimet sa i përket çështjes së Kosovës, Serbia dhe Shqipëria janë dakord se e ardhmja e rajonit është në BE dhe se të gjitha dallimet dhe mospajtimet duhet zgjidhur në mënyrë evropiane".
I pyetur nëse për këtë ka biseduar me përfaqësuesit e pushtetit në Kosovë për vizitën e tij në Beograd, Meta ka thënë se me Prishtinën është në kontakt të vazhdueshëm dhe se vizita në Serbi natyrisht se ka qenë temë e bisedimeve.
"Autoritetet e Kosovës e kuptojnë dhe e mbështesin këtë vizitë, sepse është e qartë e se Shqipëria dhe Serbia kanë një rol kyç në procesin e pajtimit të serbëve dhe shqiptarëve", tha Meta, duke shtuar se në të ardhmen do të shkojë më shpesh në Serbi dhe pret vizita të shpeshta të zyrtarëve serbë në Shqipëri.
"Ajo që duhet të bëjmë është që të kuptojmë se e ardhmja është më e rëndësishme nga e kaluara", tha Meta, duke shprehur bindjen se marrëdhëniet e serbëve dhe shqiptarëve do të përmirësohen dukshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.