Kryetari i ipeshkvijve gjermanë, Imzot Zollitsh: Kongregata për Doktrinën e Fesë po
studion normat për të përballuar fenomenin e tmerrshëm të shpërdorimeve seksuale mbi
të miturit.
(12.03.2010 RV)Në përfundim të audiencës së Benediktit XVI me pjesëmarrësit
e mbledhjes për klerin, kryeipeshkvi i Friburgut, imzot Zollitsh, kryetar i Konferencës
ipeshkvnore gjermane, u takua me gazetarët e Kolegjit teutonik në Vatikan për t’u
folur mbi informacionet komunikuar Papës për rastet e shpërdorimeve seksuale, që kanë
tronditur Gjermaninë. Me tmerr e interesim të thellë, Papa dëgjoi fjalët e kryeipeshkvit
të Friburgut: Imzot Zollitsh sqaroi se ipeshkvijtë e Gjermanisë janë tejet të shqetësuar.
Edhe në të kaluarën, Prelati u ka kërkuar të falur viktimave, e sot e përsëriti kërkesën
e tij për ndjesë. Ipeshkvi theksoi e informoi posaçërisht Papën për masat që po merren,
që t’i vihet prita një fenomeni të tillë të tmerrshëm. I shprehu, më pas, Shenjtërisë
së tij edhe mirënjohjen e vet e të të gjithë ipeshkvijve, lidhur me inkurajimin për
të vijuar në këtë rrugë. Qëllimi kryesor është të dalë në dritë e vërteta. Viktimat
e kanë plotësisht këtë të drejtë. Kryetari i Konferencës ipeshkvnore gjermane njoftoi,
më pas, se Kongregata për Doktrinën e Fesë po shqyrton masat që kanë marrë Konferencat
ipeshkvnore të mbarë botës për t’i bërë ballë shkandullit të shpërdorimeve seksuale
mbi të miturit, që të arrijë, kështu, në rishikimin e normave ekzistuese në Kishën
universale. Po mirëpritet, posaçërisht, përvoja në vendet e ndryshme, për të bërë
, më pas, një vlerësim të përgjithshëm e, po të jetë nevoja, për t’ia përshtatur normat
ekzistuese rrethanave të reja. Kryeipeshvki i Friburgut kujtoi edhe masat që po
merren, për t’u siguruar viktimave si asistencën njerëzore, ashtu edhe atë mjekësore.
Në të gjitha dioqezat – shtoi Prelati – po forcohen masat parandaluese, duke i ftuar
të gjitha famullitë të punojnë me kulturën e vigjilencës. Imzot Zollitsh informoi
se ministrat gjermanë për familjen dhe edukimin kanë organizuar, për datën 23 prill,
një tryezë të rrumbullakët, përqëndruar pikërisht tek abuzimet seksuale dhe tek masat
që duhen marrë për parandalimin e tyre në të ardhmen.. Në këtë tryezë, do të jenë
të pranishëm edhe përfaqësuesit e Konferencës ipeshkvnore gjermane. Një aspekt themelor,
që u vu në dukje, ishte edhe ai i përgjegjësisë që ka secili për vete e për të tjerët.
Kryetari i Konferencës ipeshkvnore gjermane kujtoi se e gjithë Konferenca ipeshkvnore
është gati t’i përballojë këto raste me ndjenjë të lartë përgjegjësie, por kujtoi
edhe se në Gjermani, kohët fundit kanë ndodhë shumë raste të shpërdorimeve seksuale.
Nuk është, prandaj, fenomen që ka të bëjë vetëm me Kishën katolike. Kjo kërkon
një dialog shumë më të gjërë, me gjithë shoqërinë, për të sqaruar e për të hetuar
së bashku. Kisha, si zakonisht, do të vijojë të japë ndihmesën e vet në këto hetime.
E më pas i ftoi, jo vetëm meshtarët e rregulltarët, të flasin, kur janë në dijeni
për raste të tilla kriminale, pavarësisht nga qëndrimi që mund të mbajë shteti, duke
pasur parasysh se Kisha e Shteti janë të pavarur në qëndrimin e tyre në rastet e
abuzimeve seksuale. Papa – nënvizoi Prelati – na inkurajon të nxjerrim në dritë faktet
e të pranojmë të vërtetën. Prandaj – shtoi Imzot Zollitsh - do të vijojmë rrugën për
shërimin e plagëve të së kaluarës e për shmangien e përsëritjes së tyre, në të ardhmen.