2010-03-11 16:38:56

Vëzhguesi i përhershëm i Vatikanit në OKB mbi çështjen e abuzimeve seksuale ndaj të miturve


(11-3-2010 RV)“Bashkësia katolike vazhdon në përpjekjet e saj për zgjidhjen përfundimtare të problemit të abuzimeve seksuale ndaj të miturve”: këto janë fjalët e imzot Silvano Maria Tomazit, vëzhguesit të përhershëm të Selisë së Shenjtë pranë OKB-së në Gjenevë. Prelati ndërhyri dje në takimin e përvitshëm mbi të drejtat e fëmijëve, në kuadrin e sesionit të 13-të të Këshillit të të drejtave njerëzore.
“Abuzimet seksuale ndaj të miturve janë gjithmonë krim i urryer”. Në fillim të ndërhyrjes së tij, imzot Tomazi citoi fjalët e Papës Benediktit XVI, duke kujtuar se “këtij dënimi të qartë të dhunës seksuale kundër fëmijëve e të rinjve, Papa ka shtuar edhe përmasën fetare, duke ripohuar se abuzimi është një mëkat i rëndë, që fyen Zotin dhe dinjitetin e njeriut”. “Integriteti fizik e psikologjik i të miturve që shkelet ka pasoja shkatërrimtare - shtoi prelati - Studiuesit kanë treguar se fëmijët e abuzuar reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj dhunës seksuale” e tek ata regjistrohen “mundësi më të mëdha të shtatzënisë të adoleshenteve, të varësisë nga droga e alkooli”.
Prandaj, imzot Tomazi kujtoi se “në vitet e fundit, priftërinjtë, rregulltarët e punëtorët laikë katolikë, në Vende të ndryshme, janë akuzuar për abuzime ndaj të miturve e shumë prej tyre janë dënuar”. “Nuk ka kurrfarë arsyetimi për këto sjellje të turpshme e të dënueshme”, ripohoi prelati, duke nënvizuar se “mbrojtja prej sulmeve seksuale mbetët në krye të listës së prioriteteve në të gjitha institucionet kishtare që luftojnë e punojnë për t’i dhënë fund këtij problemi serioz”.
Më tej, vëzhguesi i Selisë së Shenjtë nënvizoi se “masat konkrete për të siguruar transparencën dhe asistencën e viktimave e të familjarëve të tyre janë një mënyrë për të lehtësuar dënimin, dhembjen e vuajtjet të shkaktuara nga abuzimet”. Për këtë, “bashkësia katolike vazhdon në përpjekjet e saj për të zgjidhur përfundimisht këtë problem”, pohoi imzot Tomazi, duke siguruar që “fajtorët e krimeve të tilla do të pushohen menjëherë nga ushtrimi i funksioneve të tyre e do të trajtohen sipas normave ligjore civile dhe të drejtës kishtare kanonike”.
Më tej, janë marrë edhe masa tjera ligjore, për të siguruar që “fëmijët e të rinjtë, në shkolla e në institucione, të jenë të mbrojtur” e “shumë prej këtyre masave, ligjore apo administrative, kanë të bëjnë me njohjen dhe ndëshkimin e këtyre abuzimeve”. Pastaj, imzot Tomazi vuri theksin mbi parandalimin, që sipas tij është “ilaçi më i mirë”, çka do të thotë që në “edukimin dhe promovimin e kulturës së respektimit të të drejtave njerëzore e të dinjitetit të çdo fëmije, duket të kujdesemi posaçërisht për zbatimin e metodave efikase në pranimin e personelit shkollor”. Në fund, prelati sugjeroi që të zbatohen disa praktika që mund t’i ndihmojnë të miturit ti njohin e njoftojnë për sjelljet jo korrekte të edukatorëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.