2010-03-11 15:50:45

Simpozium në Romë në dhjetëvjetorin e miratimit të deklaratës Dominus Iesus.


(11.3.2010 RV)U zhvillua sot në Romë një simpozium kushtuar dhjetëvjetorit të Deklaratës Dominus Iesus mbi vlerën shëlbuese universale dhe unike të Jezu Krishtit dhe të Kishës. Dokumenti nënshkruar nga kardinali Jozef Racinger, asokohe prefekt i kongregatës për Doktrinën e Fesë, u pat ratifikuar nga Papa Gjon Pali II më 16 qershor 2000. Simpoziumi i sotshëm ishte promovuar nga Fakulteti i Teologjisë së universitetit papnor Regina Apostolorum.
Po cilat janë disa nga pikat themelore të kësaj deklarate? Ja të përmendim disa prej tyre:

Deklarata Dominus Iesus, që shpeshherë është keqinterpretuar, nuk synon të trajtojë në mënyrë organike problemet që kanë të bëjnë me vlerën universale shëlbuese dhe unike të Misterit të Jezu Krishtit dhe të Kishës, por ta paraqesë edhe njëherë Doktrinën e Kishës duke e parë nga këto këndvështrime dhe duke e vënë theksin në të njëjtën kohë edhe tek disa probleme që mbeten të hapura për shqyrtime të mëtejshme.
Deklarata synon gjithashtu të hedh poshtë disa qëndrime të gabuara ose të dyshimta. Dokumenti fillon me këto fjalë: “Zoti Jezus, përpara se të ngjitej në qiell i besoi dishepujve të vet mandatin për ta kumtuar Ungjillin në mbarë botën dhe për t’i pagëzuar të gjitha kombet: “Shkoni në të gjithë botën dhe predikojani Ungjillin çdo krijese. “Kush do të besojë dhe pagëzohet do të shpëtojë, por kush nuk do të besojë do të dënohet”.

Misioni universal i Kishës pra, – vazhdon më tej ky dokument – “buron nga vetë mandati i Jezu Krishtit”, por sot, vë në duke deklarata “është akoma larg përmbushjes së tij”. Prandaj Kisha bashkohet me fjalët e Shën Palit: “Për mua predikimi i ungjillit nuk është mburrje. Përkundrazi është një detyrë që më vihet. Mjerë unë sikur të mos ta predikoja ungjillin!”

Nga ana tjetër deklarata shprehet qartë edhe për kishat e tjera të krishtera. “Kishat – thuhet në të, – që ndonëse nuk janë në bashkim të plotë me Kishën Katolike, prapseprap mbetën të bashkuara me të nëpërmjet disa lidhjeve tepër të ngushta siç janë trashigimia apostolike dhe Eukaristia e vlefshme, dhe këto janë vërtet kisha të veçanta.”

Në fund deklarata nënvizon edhe njëherë rëndësinë e përhapjes së Lajmit të Mirë. “Kumtimi i Ungjillit të gjithë popujve, – përfundon ajo – edhe në kontekstin e dialogut ndërfetar “e ruan plotësisht, sot e gjithmonë, vlefshmërinë dhe nevojën e saj. kjo sepse Zoti do që të gjithë njerëzit të shëlbohen dhe të arrijnë ta njohin të vërtetën.” Si rrjedhojë, “pikërisht pse beson në planin universal të Zotit per shpëtimin e njerëzimit, Kisha duhet të jetë misionare.” – përfundon dokumenti Dominus Iesus.







All the contents on this site are copyrighted ©.