2010-03-11 15:32:02

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë nis vizitën në Serbi


(11.3.2010 RV)Zv/Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, i cili mbërriti sot në mesditë në Beograd për një vizitë zyrtare dy ditore, do të pritet pasdite në takime të veçanta nga autoritet më të larta të Republikës së Serbisë.
Axhenda e zv/kryeministrit Meta do të nisë në orën 17:30, kur ai do të zhvillojë një takim me Presidentin e Republikës së Serbisë, z. Boris Tadiç. Në orën 18:00, z. Meta do të takohet me zv/kryeministrin për Integrimin Evropian, z. Bozhidar Gjeliç dhe në orën 19:00 me zv/kryeministrin dhe Ministrin e Brendshëm, z. Ivica Daçiç.
Sipas axhendës, në orën 19:50, kreu i diplomacisë së Shqipërisë dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë z. Vuk Jeremiç, do të kenë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Referuar axhendës, zv/kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta do të zhvillojë sot homazhe në memorialin e ish- kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiq, i cilësuar si një politikan demokrat dhe reformator i shquar, i cili u vra shtatë vjet më parë, në 12 mars.
Në qendër të vizitës, sipas Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, do të jenë çështje të marrëdhënieve dypalëshe, si edhe të bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar. Vizita zyrtare e Zv/Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme z. Meta në Beograd është një tregues i qartë i prioritetit që politika e jashtme e Shqipërisë i jep zhvillimit dhe forcimit të marrëdhënieve me vendet e rajonit në kuadër të përshpejtimit të perspektivës evropiane për vendet tona.
Gjatë kësaj vizite pritet të nënshkruhen edhe marrëveshje bashkëpunimi mes dy vendeve. Z. Meta do të ketë takime dhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Serbi. nga ATSH-ja







All the contents on this site are copyrighted ©.