2010-03-11 16:19:26

Benedikti XVI mbi Sakramentin e Pajtimit: u jep zemrave ngushëllimin hyjnor në një botë që e ka humbur Zotin dhe kuptimin e mëkatit


(11.03.2010 RV)“T’i kthehemi rrëfyestoreve si vend ku kremtohet Sakramenti i Pajtimit, por edhe si vend ku meshtarët duhet “të banojmë më shumë” në mënyrë që besimtari të gjejë mëshirën hyjnore, të marrë këshilla e të gjejë ngushëllim, ta ndjejë se Zoti e do dhe e kupton”. Kështu u shpreh sot paradite Papa Benedikti XVI gjatë audiencës rezervuar pjesëmarrësve të Kursit mbi Gjykatën e mbrendshme promovuar nga Pendestaria Apostolike. Papa i ftoi meshtarët e pranishëm që “bukurinë, madhështinë e mirësinë e Hyjit” t’ia tregojnë njeriut të sotëm, që është i tunduar nga relativizmi i cili e ndryshk ndërgjegjen.

“Po zbehet përvoja që kemi në Zotin, po humbet kuptimi i mëkatit.” Ja, ky është realiteti që është aq shumë i përhapur sot nëpër botë. Por nëse njerëzit ndihmohen në takimin me Zotin si në një “dialog për shpëtimin” me Atin e Mirë që i do, atëherë kthimi i zemrave i çon drejt një mënyrë jetese të ndryshme, i bën të heqin dorë nga e keqja. Ndërmjetësuesi e mjeti më i përkryer për këtë takim janë meshtari dhe Sakramenti i Pajtimit, siç quhet ndryshme sakramenti i Rrëfimit. Pikërisht mbi këto dy pika, Ati i Shenjtë Benedikti XVI e kishte ndërtuar fjalimin e sotëm drejtuar specialistëve dhe meshtarëve pjesëmarrës në Kursin e përvitshëm të Pendestarisë Apostolike mbi Gjykatën e brendshme, të cilët i priti në audiencë.

“Kriza e Sakramentit të Pendesës, për të cilën flitet shpesh, kërkon mbi të gjitha nga ana e meshtarëve, përgjegjësi të madhe në edukimin e Popullit të Zotit me kërkesat rrënjësore të Ungjillit. Në veçanti kërkon prej tyre që t’i kushtohen me mish e shpirt dëgjimit të rrëfimeve; kërkon që t’a udhëheqin me guxim grigjën, që kjo të mos njësohet me mentalitetin e kësaj bote, por të dijë të zgjedhë gjëra që shkojnë kundër rrymës së përgjithshme, duke i shmangur kompromiset.”
Janë këto kompromise, tipike për situatën kulturore, – vuri në dukje Papa Racinger– shënjuar....

“...nga mendësia hedonistike dhe relativiste që synon ta fshijë Zotin nga horizonti i jetës sonë, që nuk ndihmon aspak në formimin e një kornize të qartë të vlerave të formimit bazë, nuk ndihmon në dallimin ndërmjet së keqës e të mirës dhe as në pjekjen e një ideje të qartë për kuptimin e mëkatit. Nuk duhet të harrojmë, se ka një lloj rrethi vicioz ndërmjet zbehjes së përvojës që kemi në Zotin dhe humbjes së kuptimit të mëkatit.”

Pikërisht në antitezë të plotë me këto prirje të ndërgjegjes individuale dhe asaj kolektive duhet të ngrihet figura e meshtarit, – vijoi më tej Papa Racinger. Shembulli që duhet të marrin meshtarët është ai i Shën Gjon Maria Vianejt. Prej tij mund të mësojnë besimin e pashtershëm tek Sakramenti i Pendesës, por mund të mësojnë edhe sesi t’i përforcojnë disa tipare që janë thelbi i meshtarisë si përshembull: shpirti i uratës, varfëria ungjilltare, marrëdhënia personale dhe intime me Krishtin e kremtimi i Meshës.” – nënvizoi mes tjerash Benedikti XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.