2010-03-10 17:15:50

Sot më 10 mars kalendari Kishtar përkujton Shën Makarion e Jeruzalemit, ipeshkëv


(10.3.2010 RV)Kalendari kishtar shënon 14 shenjtorë me këtë emër shumë simbolik, Makario, që i përkthyer nga greqishtja në shqip do të thotë "i lumtur". Makario, për fëmijërinë dhe rininë e të cilit dihet shumë pak, u zgjodh ipeshkëv i Jerusalemit në vitin fatlum 314, kur Perandori Konstantin mundi Maksencin në Urën e Milvios.
Atëherë Ipeshkvi shembi shtyllën që romakët e kishin ngritur mbi tempullin e rrafshuar të Jerusalemit dhe nxori rishtas në dritë vendet e adhuruara nga mbarë krishterimi: zonën e Kalvarit dhe Varrin e Krishtit. Atje më vonë do të lartohej bazilika e madhe e Ringjalljes. E po atje do të shkonte si shtegtare e ëma Kostantinit, Elena.
Shenjti mori pjesë në Koncilin e parë ekumenik, kremtuar në Nike, në vitin 325, ku mbajti qëndrim të ashpër kundër gabimeve të Arios, i cili e konsideronte prelatin si një nga kundërshtarët e tij më të rreptë.
Dha një kontribut të shquar në hartimin e dokumenteve të Koncilit, duke shkruar edhe Simbolin nikean, Besojmën, që u miratua nga etërit konciliarë. Është po ajo Besojmë që e shqiptojmë edhe sot e kësaj dite në meshë e në çaste kritike të jetës, për të pohuar besimin në një Zot, Atin e Gjithëpushtetshëm e në Jezu Krishtin, Birin e Tij, një të vetmin Zotin tonë!







All the contents on this site are copyrighted ©.