2010-03-10 15:56:47

Rrezikohen negociatat mes Izraelit e Palestinezëve.


(10.03.2010 RV)Shpresat e dialogut izraelitë - palestinezë ndalen nga vendimi i ministrisë së brendshme hebraike që ka miratuar planin për ndërtimin e 1600 shtëpive në pjesën lindore të Jerusalemit. Ky vendim i Izraelit dënohet nga SHBA-së e OKB-ja, derisa komplikohet misioni diplomatik i zëvendës-presidentit amerikan Bajden, i cili sot ka takuar presidentin palestinez Abu Mazen.
Edhe ministri i jashtëm i Bashkimit Evropian, Ashton, është shprehur në mënyrë kritike kundër 1600 ndërtesave për kolonët hebraik në Ramat Shlomo, në lagjen ortodokse të Jerusalemit lindor. Shumë vëzhgues i vlerësojnë këto qendrime si një sinjal që tregon se edhe Bashkimi Evropian është duke humbur durimin ndaj politikës që po zbaton qeveria izraeliane e cila rrezikon të komprometoj përpjekjet e rimarrjes së dialogut të paqes me palestinezët.
Sonte Shtetet arabe mblidhen në Kajro për të dhënë një ‘përgjigje të qartë’ ndaj vendimit të Izraelit që ka vendosur ndërtimin e 1600 banesave të reja për kolonët hebraikë. Kështu deklaroi kryeministri i Katarit, sheiku Hamad ben Jassim Al Thani, në mbarim të një takimi me sekretarin e përgjithshëm të Lidhjes Arabe, Arm Mussa. Sonte do të mbahet takimi i përfaqësuesve të Vendeve arabe pranë Lidhjes Arabe me Amr Mussën.







All the contents on this site are copyrighted ©.