2010-03-10 17:06:52

Kryeipeshkvi Tomazi në Gjenevë: ndjehet nevoja për një qeveri globale, në kuadrin e të drejtave të njeriut.


(10.03.2010 RV)“Kriza ekonomiko-financiare vijon t’i bëjë gjithnjë më të rënda kushtet e jetesës së miliona njerëzve: e kjo situatë kërkon rregulla të reja e sistem të ri, global, të qeverisjes”.
Këtë pohoi kryeipeshkvi Silvano Maria Tomazi, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Selisë së OKB-së në Gjenevë, gjatë fjalimit, mbajtur në sesionin XIII të zakonshëm të Këshillit për të drejtat e njeriut.
Selia e Shenjtë – shpjegoi imzot Tomazi – dëshiron të ripohojë bindjen se perspektiva e të drejtave të njeriut ofron një ndihmesë pozitive edhe për zgjidhjen e krizës së sotme financare. Ndonëse vërehen disa shenja rifillimi të mbarë - vërejti përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë – kriza vijon t’i bëjë gjithnjë më të rënda kushtet e jetesës së miliona njerëzve, të cilët nuk janë në gjendje të plotësojnë as nevojat më fillestare të jetesës e, sidomos, vijon të ndikojë negativisht mbi jetën e pensionistëve.Një situatë e tillë – vijoi prelati – kërkon rregulla të reja, kërkon një sistem të fortë global, që duhet të sigurojë mundësinë e zhvillimit të qëndrueshëm për të gjithë. Krijimi i rregullave të reja dhe i një qeverie të besueshme – shtoi – përfaqëson mundësinë e vetme për të përballuar shkaqet themelore të krizës e për të pohuar se nuk mungojnë përpjekjet për vënien në jetë të të gjitha të drejtave: ekonomike, shoqërore, civile e politike, ashtu si i lexojmë në Deklaratën universale të të Drejtave të njeriut.







All the contents on this site are copyrighted ©.