2010-03-10 17:07:10

Kardinali Levada flet për anglikanët, që dëshirojnë të hyjnë në Kishën katolike


(10.03.2010 RV)“Të harmonizohen tingujt, për të krijuar një simfoni të vetme”: prefekti i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, kardinali Uiljam Jozef Levada, përdori këtë metaforë për të nënvizuar, gjatë një fjalimi mbajtur pak ditë më parë, ndihmesën e anglikanëve dhënë Kishës katolike, në dritën e Kushtetutës apostolike Anglicanorum cœtibus të Benediktit XVI. Njoftimin e jep gazeta vatikanase ‘L’Osservatore Romano’. Duke folur me rastin e një takimi pranë Njumën Senter të Universitetit të Kingstonit, në Kanada, prefekti pohoi se anglikanët, që dëshirojnë të hyjnë në bashkim të plotë e të dukshëm me Kishën katolike “do të sjellin një tingull të veçantë në bashkësinë kishtare, ashtu si instrumentet e një orkestre, që bashkëpunojnë, për të krijuar simfoninë”. E më pas saktësoi: “Kur një njeri, ose një bashkësi, është gati për t’u bashkuar me Kishën e Krishtit, e cila ekziston në Kishën katolike, do të ishte tradhti parimesh e qëllimesh ekumenike katolike refuzimi për t’i pranuar, me gjithë dhantitë dalluese, që e pasurojnë Kishën dhe ndihmojnë në krijimin e simfonisë, përballë botës, duke luajtur së bashku ose të bashkuar”.
Si kujtoi, më pas, procesin, që çoi në botimin e Kushtetutës Apostolike, kardinali vërejti se është rezultat logjik, pas viteve të gjata të dialogut, duke nisur nga takimi historik i vitit 1966 i Palit VI me kryeipeshkvin e Kanterburit, Majkëll Ramsei.
Posaçërisht - shtoi- është një nga frytet e punës më se 30-vjeçare të Komisionit Ndërkombëtar anglikano-katolik (Arcic), i cili hartoi një sërë dokumentesh lidhur me tema të ndryshme të fesë. Prandaj, me të drejtë, kardinali shprehu besimin për një progres të mëtejshëm drejt bashkimit të plotë e të dukshëm, në një Kishë të vetme”.







All the contents on this site are copyrighted ©.