2010-03-10 17:07:00

Egjipt: vdiq shehu i madh Tantavi i Al Azharit, zëri i moderuar i islamit. Ngushëllimet e kardinalit Toran


(10.03.2010 RV)RealAudioMP3 Ndërroi jetë sot, shehu i madh i Universitetit Al Azhar të Kairos, në Egjipt, Mohammed Sajed Tantavi, 81 vjeç, që nga viti 1996 në udhëheqje të qendrës kryesore të studimeve teologjike sunnite. Vdiq nga një infarkt i papritur, ndërsa po ngjitej në shkallët e avionit, që do ta çonte në Egjipt, pas një shtegtimi.
I emëruar Myfti i madh i Egjiptit më 28 tetor 1986, shehu Tantavi e kreu këtë detyrë për dhjetë vjet me radhë, derisa presidenti egjiptian Mubarak e vuri në krye të xhamisë dhe të universitetit të Al-Azhar. Njihej për stilin e tij dialogues. Kështu e kujton edhe kardinali Zhan-Lui Toran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Në radhë të parë, marr pjesë në zinë e miqve tanë egjiptianë, sepse Sajed Tantavi ishte personalitet tejet i rëndësishëm në jetën publike të Egjiptit. Mendoj se humbëm një mik, që na kuptoi e na priti gjithnjë me përzemërsi të madhe. Herën e fundit u pamë më 22-23 shkurt, në takimin tonë vjetor, gjatë të cilit tregoi një humanitet të vërtetë, sidomos duke folur për episodin tragjik gjatë kremtimit të Krishtlindjes ortodokse, kur disa të krishterë e një polic mysliman u mbytën në mënyrën më barbare.
Ishte njeri i paqes, i dialogut e jam i bindur se këtë rrugë do të ndjekë edhe pasardhësi i këtij njeriu fisnik e njëkohësisht të përvujtë e të sinqertë, shembull i vërtetë për ata, që do të ecin në gjurmët e tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.