2010-03-08 17:23:19

Zgjedhjet në Irak për demokraci.Votimet më të forta se bombat


(08.3.2010 RV)Zgjedhjet në Irak një ditë historike, votime për demokraci. Pjesëmarrje e lartë pavarësisht atentateve. Dje në Irak gati 19 milionë qytetarë kanë votuar për të zgjedhur 325 anëtarët e Parlamentit të ri kombëtar, që do të ketë një mandat katër vjeçar. Pavarësisht kërcënimeve të al Kaedës e atentateve, që shkaktuan të vdekur e të plagosur në tërë Vendit, numri i votuesve ka arritur në 62,4%. Kështu njoftoi zëdhënësi i Komisionit zgjedhor kombëtar të pavarur, Hamdiyah al-Hussein, gjatë një konference shtypi mbajtur në Bagdad. Pjesëmarrje posaçërisht e lartë është regjistruar në rajonin kurd në veri të Irakut, me 80 % të votuesve në Dohuk. Sipas Husseinit, rezultatet e para priten për nesër. Zgjedhjet e djeshme ishin të dytat kombëtare që nga përmbysja e Sadam Huseinit nga forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2003.
Presidenti amerikan, Barak Obama, përgëzoi irakianët për zgjedhjet e tha se zgjedhjet parlamentare të së dielës në Irak ishin një arritje historike për atë vend. Irakianët sfiduan sulmet e kryengritësve që lanë 38 të vrarë. Sipas presidentit amerikan, Barak Obama, irakianët hodhën një hap përpara për të ndërtuar vendin e tyre pavarësisht kërcënimeve për dhunë. Ai lavdëroi forcat irakiane të sigurisë për ruajtjen e qendrave të votimit. Në këto zgjedhje kryeministri irakian, Nuri al Maliki, përballet me kundërshtarë të fortë në garë nga ish aleatët e tyre si dhe sunitë dhe politikanë kurd. Asnjë parti nuk pritet të fitojë shumicën e nevojshme për të krijuar qeverinë ndaj një koalicion është më i mundshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.