2010-03-08 16:33:22

Papa në Engjëllin e Tënzot: Zoti nuk e do të keqen e, në se e lejon vuajtjen, e bën këtë për një të mirë më të madhe.


(08.03.2010 RV)Pas vizitës në famullinë e Shën Gjonit të Kryqit, Papa u rikthye në Vatikan ku, në mesditë kremtoi, nga dritarja e studios së tij private, lutjen mariane të Engjëllit të Tënzot. Duke kujtuar leximet e liturgjisë së djeshme, pohoi se Zoti është i mirë, nuk e do të keqen e, në se e lejon vuajtjen, kjo do të thotë se e ne bën për hir të një të mire më të madhe. E ndoqën mijëra shtegtarë, ardhur në Sheshin e Shën Pjetrit nga mbarë bota për t’u lutur bashkë me Atin e Shenjtë.
 
Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa ofroi pika të reja reflektimi për leximet biblike të së dielës. Duke komentuar dëftimin hyjnor në kaçubën e ndezur, kujtoi se Hyji e fton Moisiun të bëhet i vetëdijshëm për padenjësinë e tij. Vërtetë përvoja e Moisiut është e jashtëzakonshme, por Zoti nuk iu duk vetëm atij; Hyji duket, në mënyra nga më të ndryshmet, në jetën e secilit prej nesh:
“Por, për ta ndjerë praninë e tij, është e nevojshme t’i afrohemi me respekt të thellë, duke e njohur mirë mjerimin tonë. Përndryshe nuk mund ta takojmë e të bashkohemi me Të. Siç shkruan Shën Pali Apostull, edhe kjo ngjarje u tregua për të na kujtuar se Hyji nuk u dëftohet njerëzve mendjelehtë, përplot me vetveten, por atij që është i varfër e i përvuajtur para Tij”.
Rikujtoi, më pas, ngjarjet dramatike, treguar nga Ungjilli i djeshëm: vrasjen e disa galileasve me urdhër të Poncit Pilat dhe shembjen e një kulle përmbi disa kalimtarë. Përballë përfundimit të lehtë për ta konsideruar të keqen si pasojë e dënimit hyjnor - nënvizoi Papa – Jezusi na rikthen figurën e vërtetë të Zotit, që është i mirë e nuk mund ta dojë të keqen. Përkundrazi, duke kujtuar se fatkeqësitë nuk janë pasojë e menjëhershme e fajeve personale të atij që i pëson, i fton të gjithë t’i lexojnë këto fakte, duke i vendosur në perspektivën e pendimit, të rikthimit në rrugën e Zotit:
“Fatkeqësitë, ngjarjet e kobshme, nuk duhet të zgjojnë në mendjen tonë kureshtje, e aq më pak, të na shtyjnë të gjejmë fajtorët e pandehur, por duhet të jenë gjithnjë raste për të reflektuar, për të mos u mbështetur mbi shpresën e kotë se mund të jetojmë edhe pa Zotin e për të përforcuar, me ndihmën e Tij, zotimin që të nisim një jetë të re. Përballë mëkatit, Zoti na dëftohet përplot me mëshirë e nuk ngurron t’u bëjnë thirrje mëkatarëve të largohen nga e keqja, të rriten në dashurinë e tij e ta ndihmojnë konkretisht të afërmin në nevojë, për të jetuar, kështu, gëzimin e hirit e për të mos vijuar rrugën drejt vdekjes së amshuar”.
“Mundësia për kthesë – vijoi Papa – kërkon nga ne t’i shikojmë ngjarjet e jetës në perspektivën e fesë, me syrin e njeriut, që ka frikën e shenjtë të Zotit. Kur shikojmë vuajtje e kobe, urtia e vërtetë është të mos harrojmë sa e paqëndrueshme është jeta… “ e ta lexojmë historinë njerëzore me sytë e Zotit i cili, duke dashur gjithnjë vetëm të mirën e bijve të vet, për shkak të planit të pashqyrtueshëm të dashurisë së tij, nganjëherë lejon të vihen në provën e dhimbjes, për t’u prirë drejt një të mire edhe më të madhe”.
Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa iu drejtua shtegtarëve francezë, duke u shprehur afërsinë e tij të gjithë atyre, që vuajtën për shkak të stuhisë, e cila shkaktoi në Francë me dhjetra viktima:
“Que la Vierge Marie aide toutes les familles…
“Virgjëra Mari i ndihmoftë të gjitha familjet, posaçërisht ata, të cilat kalojnë çaste të vështira, që të mos e humbasin kurrë besimin në dashurinë e Birit të saj”.







All the contents on this site are copyrighted ©.