2010-03-08 17:40:24

Në Ditën botërore të gruas, një thirrje e fuqishme për të luftuar kundër çdo diskriminimi.


(08.3.2010 RV)U kremtua sot Dita ndërkombëtare e gruas, rast i përvitshëm për të sensibilizuar opinionin publik lidhur me problematikat e botës femërore, për të rikujtuar fitoret e grave të cilat, megjithatë, vijojnë të diskriminohen në botën e madhe.
Lidhur me këtë, një Raport i OKB-së kushtuar zhvillimit, njofton sot se deri në vitin 2007, në shtatë vende aziatike, numri i grave “të zhdukura”: të përjashtuara nga e drejta për mbrojtjen shëndetit dhe për shkollim e të mbytyra, para se të lindin, ishte 100 milionë. E për gratë e së nesërmes mendojnë të gjithë ata, që janë në gjendje ta vlerësojnë si duhet ndihmesën e gruas në zhvillimin e shoqërisë e që prandaj janë kundër abortit, vrasjes selektive të fëmijëve të palindur, integrimit të vështirë të grave emigrante nëpër botë.
Po cilat janë arsyet që na shtyjnë për ta festuar ditën e sotme e ç’t’u urojmë grave për të ardhmen?
Përgjigjet, në mikrofonin tonë, Adele Erkolano, koordinatore e Institutit të Studimeve të Larta për Gruan, pranë Universitetit Papnor ‘Mbretëresha e Apostujve”:

Përgjigje: - Është për t’u festuar sidomos prania e grave në të gjitha mjediset profesionale të jetës publike e edhe roli i tyre vendimtar në shumëkombëshet e në institucionet e ndryshme. Në radhë të dytë, edhe fakti që gratë kanë fituar një vetëdije më të thellë se duhet të jenë vetvetja, se duhet të afirmohen, pa e humbur femërsinë e tyre e, përtej nivelit ndërkombëtar, vetëdija për aftësitë e tyre në luftën për njohjen e të drejtave të gruas.
E përsa i përket pyetjes ‘ç’urim duhet të bëjmë sot’, mendoj se duhet të urojmë që të zhduket çdo formë e diskriminimit, e dhunës, e shfrytëzimit të gruas në botë. Të urojmë edhe që gruaja të jetë në qendër të jetës famijare e edhe që të mbrohet, duke nisur që nga amësia. Besoj se për t’i vënë në jetë këto urime, duhet punuar akoma shumë.

Pyetje: - Ç’mendoni për rolin e gruas në Kishë, në dritën e mendimit të Benediktit XVI?

Përgjigje: - Posaçërisht Bendikti XVI nënvizon urgjencën e ndihmesës së grave në Kishë e është sigurisht shumë e rëndësishme, e sidomos pozitive, të nënvizohet përtëritja e Sinodit, ku kohëve të fundit ishin të pranishme 10 gra specialiste e 19 dëgjuese. E dhënë shumë domethënëse kjo. Flet vetë për dëshirën që t’u hapet sa më shumë vend grave në jetën e Kishës!







All the contents on this site are copyrighted ©.