2010-03-08 16:57:20

Kisha katolike në Shqipëri shpalos enciklikën e Papës ‘Caritas in Veritate’.


(08.3.2010 RV)Konferenca Ipeshkvnore Katolike e Shqipërisë në bashkëpunim me Karitasin Kombëtar të Shqipërisë, organizoi një simpozium mbi enciklikën e Papës Benediktit XVI “Caritas in Veritate” që u mbajt të shtunën e kaluar, më 6 mars në Tiranë pranë Universitetit Katolikë “Zoja e Këshillit të Mirë”.
Në simpoziumin kushtuar enciklikën shoqërore të Papës Racinger, morën pjesë ipeshkvijtë katolikë të Shqipërisë, Nunci Apostolik në Tiranë si dhe profesor e studiues të fushave të ndryshme.
“E vërteta, për të cilën Jezusi u bë dëshmitar, e thënë me dashuri: kjo është forca që vë në lëvizje zhvillimin e njëmendtë të çdo njeriu e të mbarë njerëzimit”: kështu nis ‘Caritas in Veritate’ - 'E vërteta me dashuri', Enciklika e fundit e Papës Benedikti XVI kushtuar zhvillimit të gjithanshëm të njeriut, drejtuar botës katolike e të gjithë njerëzve vullnetmirë. U paraqit sot në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë.
Kujtojmë se Dokumenti papnor ka gjashtë kapituj, që paraprihen nga hyrja e përfundojnë me fjalën e mbylljes.
Kapitulli i parë i kushtohet mesazhit, që buron nga Enciklika Populorum progressio;
Kapitulli i dytë, shtjellon “zhvillimin njerëzor në kohët tona”;
Kapitulli i tretë titullohet “Vëllazëria, zhvillimi ekonomik e shoqëria civile”.
Kapitulli i katërt merret me “zhvillimin e popujve, të drejtat e detyrat dhe problemet e Kapitullit të Kapitulli i pestë ka titullin“Bashkëpunimi i familjes njerëzore “;
Kapitulli i gjashtë e i fundit trajton ‘Zhvillimin e popujve e teknikën”.

Në përfundim të Enciklikës lexuesi vëren se Papa tregon një drejtim të ri për ekonominë botërore, të lidhur me zhvillimin, që promovon dinjitetin e njeriut.
Po më hollësisht mbi simpoziumin që u mbajt te shtunën në Tiranë, folëm me zëdhënësin e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, priftin don Gjergj Meta. Ta dëgjojmë bisedën e tij në mikrofonin e Radio Vatikanit.....RealAudioMP3
 
Ja dhe komunikata e zyrës së shtypit të Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë:
“Dashuria në të vërtetë është rruga e doktrinës shoqërore të Kishës.
Simpozium mbi Enciklikën Caritas in Veritate të Papës Benedikti XVI

Dashuria është rruga e doktrinës shoqërore të Kishës. Kjo e vërtetë është qartazi dhe me këmbëngulje e shprehur në letrën Enciklike të Papës Benedikti XVI. Është e treta e tij gjatë pontifikatit pas Deus Caritas est dhe Spe salvi.
“Caritas in veritate”, ishte në qendër të vëmendjes në simpoziumin e datës 6 mars 2010 në Universitetin Zoja e Këshillit të mirë të organizuar nga Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë dhe nga Karitasi Kombëtar. Sikurse kishin shpallur edhe ipeshkvijtë në Plenaren e Tetorit 2009, ky simpozium do të shërbente për të bërë të njohur këtë dokument me shumë vlerë në këtë moment historik të veçantë të botës, kur nga të gjitha anët vërehet dhe shpallet, nganjëherë në mënyrë të frikshme, ekzistenca e një krize ekonomike globale. Krizë e cila ka përfshirë vende të pasur dhe vende të varfra. Krizë e cila sigurisht ka përfshirë edhe vendin tonë.
Papa Benedikti XVI përfaqësohej në këtë mbledhje me anë të Nuncit Apostolik i cili të pranishmëve i përcolli përshëndetjen e Atit të Shenjtë e gjithashtu edhe nëpërmjet fjalëve të letrës Enciklike. E pikërisht kjo Enciklikë Caritas in Veritate u komentua nga njerëz të përgatitur në fusha dhe sfera të ndryshme të cilat preken në dokument.
U theksua qysh në fillim se si një humanizëm pa Zotin është një humanizëm çnjerëzor dhe se anashkalimi i përmasës metafizike të zhvillimit ekonomik çon drejt një ekonomie çnjerëzore. Vetëm duke vënë Zotin në themel të ekzistencës së tij njeriu është i aftë të krijojë marrëdhënie dhe shkëmbime me njerëz të tjerë të drejta. Kjo letër Enciklike na thërret në botën e sotshme dhe në shoqërinë shqiptare të jemi dëshmitarë të dashurisë në të vërtetë. Dashuria në të vërtetë është forca shtytëse për botën e përreth dashurisë në të vërtetë sillet krejt doktrina shoqërore e Kishës.
Zhvillimi tërësor (integral) është thelbi i kapitullit të parë të Enciklikës. Këtë temë papa e merr nga Populorum progressio e Papës Pali VI. Papa jo vetëm konfirmon këtë doktrinë, por në këtë mënyrë ai lidhet në vazhdimësi me magjisterin paraardhës. Zhvillimi integral është kusht i domosdoshëm që zhvillimi të jetë autentik. Kjo ka të bëjë me zhvillimin e të gjithë njeriut dhe e të gjithë njerëzve, pra i tërësishëm në të gjitha aspektet.
Në situatën e krizës që po kalojmë nevojitet patjetër marrja përsipër e përgjegjësive personale dhe kolektive. Nuk mund të presim që zgjidhja të vijë vetvetiu, por duhet të angazhohemi për të gjetur zgjidhje konkrete. Fenomenet e ndryshme emigruese, abuzimi me ambientin, kriza financiare dhe tregtare kërkojnë përgjigje konkrete: kriza globale kërkon një përgjigje konkrete. Mungesa e disa kushteve minimale dhe jetike si uji dhe ushqimi duhet të cysin ndërgjegjen tonë për t’i parë si një e drejtë universale dhe për t’ua garantuar ato të gjithëve. Vlera e jetës si vlerë bazike dhe zanafillëse tek e cila pastaj bazohet çdo e drejtë tjetër duhet të tutelohet dhe të mbrohet me patjetër. Personi njerëzor është qendra, dhe synimi i krejt zhvillimit ekonomik.
Në këtë proces zhvillimi të popujve duhen shmangur qoftë ekzletzmi kulturor që i afron kulturat, por nuk i takon kurrë ato e duke çuar në një lloj relativizmi e gjithashtu edhe nivelimin kulturor apo mbylljen kulturore.
Dhurimi, apo dhurata si vlerë cilësore e shkëmbimeve tregtare ishte një nga idetë e guximshme të Papës në këtë Enciklikë. Marrëdhënia tregtare nuk ka synim vetëm përfitimin dhe jo vetëm atë afatshkurtër, por ai duhet të jetë afatgjatë duke investuar jo vetëm në struktura ekonomike, por edhe në ato shoqërore e morale.
Tre kapitujt e fundit përmbajnë tema të tilla si të drejtat dhe detyrat në zhvillimin e popujve, bashkëpunimi i familjes njerëzore në këtë proces zhvillimi si dhe teknika me të mirat dhe me të metat e veta në jetën e sotshme. Relatorët e këtyre temave zhvilluan secili në rrafshin e kompetencës së tyre çka thelbësore enciklika nxjerrë në pah. E drejta dhe drejtësia i tejkalojnë kufijtë e vetëm njeriut religjioz. Ato janë të vlefshme për të gjithë. Zbatimi i të drejtave dhe detyrave i përket natyrës njerëzore.
E veçanta e kësaj Enciklike, sikurse u theksua nga njëri prej relatorëve është edhe fakti se Papa ka ofruar zgjidhje konkrete për probleme konkrete. Në mënyrë të veçantë për problemet e papunësisë, të ambientit, të mbrojtjes së të drejtave bazike, të parimit të subsidaritetit i cili shkon bashkë me atë të solidaritetit. Në këtë Enciklikë Papa parashtron edhe idenë e krijimit të një autoriteti botëror me pushtet efektiv i cili tutelon rregullat e lojës në politikën globale.
Kalimi i shoqërisë shqiptare nga një shoqëri e tipit marksist, ku rregullat e lojës ekonomike diktoheshin nga modeli sovjetik i zhvillimit në një model neoliberal mbart në vetvete një raport problematik me teknikën. Enciklika me vlerësimet e saj etike rreth teknikës mund të jetë një instrument i vlefshëm edhe për një përsiatje mbi ekonominë dhe shoqërinë aktuale shqiptare. Çka do të thotë se nga njëra anë teknika duhet vlerësuar, por nga ana tjetër ajo nuk duhet absolutizuar.
I gjithë simpoziumi u mbyll me fjalët e vetë Atit të Shenjtë Benedikti XVI në Enciklikë “Pa Hyjin njeriu nuk di se ku të shkojë dhe nuk arrin as të kuptojë se kush është. Përballë problemeve shumë të mëdha të zhvillimit të popujve që pothuajse na nxisin të demoralizohemi dhe të dorëzohemi, na vjen ne ndihmë fjala e Zotit Jezu Krisht që na bën të vetëdijshëm: “Pa mua s’mund të bëni asgjë” (Gjn 15,5) dhe na nxit: “Unë jam me ju gjithmonë, deri në të sosur të botës” (Mt 28,20)”.







All the contents on this site are copyrighted ©.