2010-03-07 14:55:15

Papa: Zoti nuk e do të keqën e dhembjen, as ndëshkimin


(07.3.2010 RV)“Para mendimeve të lehta që e konsiderojnë të keqen si rezultat të ndëshkimit hyjnor”, Benedikti XVI kujtoi sot sipas Ungjillit të kësaj së diele, “Jezusi e kthen imazhin e vërtetë të Hyjit”, e “shpall pafajësinë e Zotit, i cili është i mirë e nuk mund ta dëshiron të keqën”. Papa tërhoqi vëmendjen “të ruhemi nga ato mendime që pohojnë se fatkeqësitë që ndodhin janë efekt i menjëhershëm i fajeve personale të atyre që i pësojnë të këqijat”.
Para 60 mijë besimtarëve të pranishëm në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan për lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa bëri thirrje “ti lexojmë faktet e jetës në perspektivën e fesë, të frymëzuar nga frika e shenjtë e Tënzot, pra nga marrëdhënia e drejtë me Zotin dhe nga konsiderata e vërtetë për Të”.
Sipas Atit të Shenjtë Benediktit XVI, kur gjendemi “në praninë e vuajtjes e të zisë, urti e vërtetë është të pyesësh për përkohshmërinë e ekzistencës dhe të lexosh historinë njerëzore me sytë e Zotit, i cili, duke dashur gjithmonë dhe vetëm të mirën e bijve të vet, në saje të një plani të panjohshëm e të paparashikueshëm të dashurisë së Tij, nganjëherë lejon të sprovohen nga dhembja për t’i sjell deri te e mira më e madhe”.
“Para mëkatit, Zoti dëftohet plot përdëllim e nuk mungon së qortuari mëkatarët për t’iu shmangur së keqes, për t’u rritur në dashurinë e tij e për të ndihmuar konkretisht të afërmin në nevojë, për ta jetuar gëzimin e hirit hyjnor e për të mos shkuar drejt vdekjes së përjetshme".
"Kthimi ynë tek Zoti kërkon që të mësojmë ti lexojmë ngjarjen e jetës pikërisht në perspektivën e fesë”, e të jetojmë në dritën e Fjalës Hyjnore. “Zoti është i mirë e plotë mëshirë”. Ky është mesazhi i shpresës për të gjithë ata që përjetojnë dobësinë e mëkatit, por sinqerisht e dëshirojnë kthimin te Zoti dhe orvaten të jetojnë në përkim e bashkim me Zotin”, tha Papa në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot.







All the contents on this site are copyrighted ©.