2010-03-05 16:44:27

Papa ipeshkvijve të Ugandës: të krishterët t’i përballojnë joshjet e materializmit e të individualizmit.


(05.03.2010 RV)“Të dëshmojnë Krishtin në shoqëri e t’u kundërvihen joshjeve e kulturës materialiste”: janë dy porositë kryesore, që u dha Benedikti XVI ipeshkvijve ugandezë, të cilët i priti sot paradite me rastin e vizitës së tyre ‘ad Limina’ – vizitë që bëjnë çdo pesë vjet të gjithë ipeshkvijtë e botës në Romë, për t’u gjunjëzuar tek Varret e Apostujve e për t’u takuar me Atin e Shenjtë.
Papa ripohoi rëndësinë e mbrojtjes së vlerave familjare, të formimit të shekullarëve që impenjohen në jetën publike e të meshtarëve. Kujtoi edhe viktimat e shkarjeve të dheut, që kohët e fundit dëmtuan rëndë një nga zonat veriperëndimore të Ugandës.
Në emër të prelatëve, Atin e Shenjtë e përshëndeti ipeshkvi i Lugaxit, Matias Sekamania, kryetar i Konferencës ipeshkvnore të Ugandës.

Benedikti XVI kujtoi, në radhë të parë, viktimat ugandeze të shkarjeve të dheut në zonën e Bududës, të cilat kohët e fundit shkaktuan vdekjen e shumë njerëzve. Papa u shprehu afërsinë e tij të gjithë atyre që vuajnë për shkak të kësaj fatkeqësie të natyrës, duke iu lutur Zotit t’u japë forcë e shpresë për ta përballuar tragjedinë e rëndë. Më pas kujtoi Nxitjen për ungjillëzimin e ri të Kontinentit afrikan, dokument përfundimtar i Sinodit për Afrikën, mbledhur tetorin e kaluar.
“In the light of the Gospel message…”
“Në dritën e mesazhit ungjillor – u tha Papa ipeshkvijve – duhet të jeni të vetëdijshëm se katolikët ugandezë kanë nevojë të inkurajohen për ta vlerësuar plotësisht sakramentin e martesës së pazgjidhshme. I nxiti, më pas, barinjtë, t’i ndihmojnë meshtarët e shekullarët për t’u bërë ballë joshjeve të kulturës materialistike e individualiste, që vijon të rrënjoset në shumë vende.
“Continue to call for lasting peace…”
Vijoni të kërkoni një paqe të qëndrueshme, të bazuar mbi drejtësisnë, bujarinë për të varfërit e mbi frymën e dialogut e të pajtimit. Në përpjekjen për promovimin e një ekumenizmi të vërtetë – vijoi të porosiste – duhet t’i qëndroni më pranë atyre, që nuk kanë forcë t’i përballojnë sektet.
Në Vitin meshtarak, Papa nuk harroi t’u drejtohej edhe meshtarëve, duke theksuar se kanë shumë nevojë për ndihmën e ipeshkvijve:
“Exhort them to prayer and vigilance…”
Nxitini të luten – porositi Papa – e të ruhen, posaçërisht nga ambiciet personale, nga joshjet e botës, të politikës e edhe nga lidhja e dëmshme me familjet e me fisin. Më pas kujtoi rëndësinë e punës për thirrjet e reja meshtarake si dhe për formimin shpirtëror të seminaristëve. Meshtarët – pohoi – duhet të jenë njerëz të Zotit, të aftë për t’u bërë prijës të të tjerëve. Ndërsa rregulltarët - vijoi të kujtonte Papa – duhet të jenë shembull e burim guximi për mbarë Kishën.
“Priests and religious require constant support…”
Priftërinjtë e rregulltarët – nënvizoi Ati i Shenjtë – duhet të ndihmohen vazhdimisht ta jetojnë çelibatin dhe kushtin e virgjërisë.
Më pas Benedikti XVI u shprehu ipeshkvijve kënaqësinë e tij për format e ungjillëzimit popullor, që po përdoren në vend, si dhe për shtegtimet në Shenjtëroren e martirëve ugandezë. Përsëriti edhe thirrjen për t’i ndihmuar, në radhë të parë, të shpërngulurit e jetimët, viktima të luftës, si dhe njerëzit që vuajnë nga varfëria, nga Sida e nga sëmundje të tjera. Njëkohësisht vuri theksin mbi formimin e shekullarëve, posaçërisht të atyre, që impenjohen në mjetet e komunikimit, në politikë e në kulturë:
“Encourage them to be active…
Inkurajojini të jenë aktivë e sypatrembur në shërbim të asaj, që është e drejtë dhe e fisme – tha Papa. Në këtë mënyrë – shtoi – shoqëria do të përfitojë nga veprimtaria e të krishterëve, që kryejnë detyra të larta në shërbim të së mirës së përbashkët. Edhe lëvizjet kishtare – pohoi Benedikti XVI - meritojnë ndihmën tuaj, sepse japin një kontribut të rëndësishëm pozitiv për jetën e Kishës.Në përfundim Papa uroi që besimtarët ugandezë ta kuptojnë gjithnjë më thellë përgjegjësinë që kanë ndaj vetevetes, ndaj bashkësive e ndaj Kishës së tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.