2010-03-05 19:53:45

Ministrat e brendshëm të rajonit kërkojnë liberalizimin e vizave për Shqipërinë e Bonsjen Hercegovinën


(05.3.2010 RV)Progresi në fushën e sigurisë së kufijve, në sigurinë e dokumentave të identitetit dhe arritjet në luftën kundër kriminalitetit, ishin temë e raportimeve të ministrave të Brendshëm të Ballkanit Perëndimor, në ditën e dytë të Konferencës së 7-të Ministrore mbi Bashkëpunimin në Fushën e Sigurisë në Europën Juglindore.
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Lulzim Basha, në fjalën e tij përmendi si arritje të rëndësishme shtrirjen dhe funksionimin e sistemit TIMS në të gjitha shërbimet e Policisë Kufitare dhe të Migracionit, integrimin e këtij sistemi me sistemet e tjera, zgjerimin e përdorimit të këtij sistemi edhe për regjistrin për të huajt, monitorimin viziv të pikave të kalimit kufitar, etj.
Në përfundim të Konferencës, ministrat pjesëmarrës nënshkruan një deklaratë të përbashkët, ku i kërkohet Komisionit Europian përshpejtimi i liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën.
Në deklaratën e nënshkruar nga ministrat e Brendshëm të 5 vendeve pjesëmarrëse në Konferencë, theksohet progresi i bërë nga Bosnje Hercegovina dhe Shqipëria për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga kërkesat për liberalizimin e vizave.
"Duke njohur progresin e dukshëm të bërë, theksojmë gatishmërinë tonë për të kontribuar në sigurinë europiane nëpërmjet veprimeve specifike dhe me gjerë, me qëllimin e përbashkët për të rritur kapacitetet dhe përmirësuar aftësitë për të arritur në nivelin, i cili do t'i lejonte rajonit të bëhej partner europian për të ofruar siguri për të gjithë shtetasit e kontinentit", thuhej në deklaratën e lexuar nga ministri i Brendshëm Shqipërisë, Lulzim Basha.
Gjatë konferencës, ministri Basha kërkoi gjithashtu shmangjen e procedurave burokratike të kalimit kufitar si dhe mundësinë e krijimit të një Shengeni Ballkanik, në të mirë të qytetarëve, për t'u bërë pjesë e Bashkimit Europian.
Në ditën e dytë të Konferencës, pjesëmarrësit folën për progresin e bërë në vendin e tyre në fushën e Sigurisë Kufitare gjatë vitit 2009, rishikimin e Progresit për Sigurinë Kufitare në Europën Juglindore gjatë vitit 2009, si dhe Strategjitë e Implementimit për vitin 2010-2011.
Konferenca u organizua nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë, në bashkëpunim me DCAF (Qendra e Gjenevës për Kontroll Demokratik të Forcave të Armatosura) me pjesëmarrje të ministrave të Brendshëm të vendeve të rajonit si dhe përfaqësues të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Konferencën e përshendeti edhe Kryeministri i vendit, Sali Berisha, i cili theksoi se "siguria e kufijve është një problem shumë i ndjeshëm për vendet tona, pasi ka të bëjë me sigurinë e jetës së qytetarëve dhe sigurinë e veprimtarisë së gjithanshme të vendeve tona".
Ambasadori i Spanjës në vendin tonë, në cilësinë e vendit që ka kryesinë e radhës të Bashkimit Evropian, Manuel Montobio, e cilësoi mbajtjen e kësaj konference një arritje të Ballkanit Perëndimor, ku në thelb trajtohet bashkëpunimi i këtyre vendeve për të luftuar krimin e organizuar, trafikun ndërshtetëror.
Montobio tha se rajoni ka bërë përpjekje të dukshme për të minimizuar krimin e organizuar dhe për këtë BE është koshiente, prandaj edhe dyert e saj do të jenë të hapura për këto shtete.
nga ATSH-ja







All the contents on this site are copyrighted ©.