2010-03-05 15:22:45

Imzot Tomazi: rregulla të reja për të kapërcyer krizën


(05.03.2010 RV)Delegacioni i Selisë së Shenjtë dëshiron të ripohojë edhe një herë se perspektiva e respektimit të të drejtave të njeriut përbën një kontribut pozitiv në zgjidhjen e krizës aktuale financiare. Kështu foli këto ditë, Vëzhguesi i Përhershëm i Vatikanit pranë zyrës së OKB-së në Gjenevë, kryeipeshkvi Silvano Tomazi në sesionin e 13-të të Këshillit të të drejtave të njeriut. Megjithëse duken sinjale përmirësimi – theksoi imzot Tomazi – kriza vazhdon të rëndojë gjendjen e miliona njerëzve. Nevojiten norma e rregulla të reja dhe një sistem global qeverisjeje, në gjendje të sigurojë zhvillimin e qëndrueshëm për të gjithë.
Kombet e Bashkuara – kujtoi më pas kryeipeshkvi – kanë mjaft të dhëna mbi pasojat negative të krizës financiare, ndër të cilat shkandulli i urisë, pabarazia në rritje në botë dhe papunësia. Këto çekuilibrime – siç përmend Papa në enciklikën “Caritas in Veritate” – janë krijuar kur veprimtaria ekonomike, e kuptuar si motorr për shtimin e pasurisë, është shkëputur nga veprimtaria politike, e kuptuar si mjet për të arritur drejtësinë përmes rishpërndarjes së të mirave materiale.
Drejtësia dhe barazia – shtoi imzot Tomazi – janë kritere thelbësore në administrimin e ekonomisë botërore. Njerëzit mund t’i gëzojnë të drejtat e njeriut vetëm kur shtetet i kthejnë parimet në ligj. Objektivi i përbashkët është mbrojtja dhe respektimi i dinjitetit të njeriut, që bashkon krejt familjen njerëzore. Imzot Tomazi vuri në dukje gjithashtu, rëndësinë e lirisë ekonomike, por tregoi katër parime themelore, mbi të cilat duhet bazuar ajo: vendosja e njeriut në qendër, solidariteti, susidiariteti dhe e mira e përbashkët.
Një mesazh i rëndësishëm i Papës në enciklikën “Caritas in Veritate” – përfundoi Vëzhguesi i Përhershëm i Vatikanit në OKB-në e Gjenevës – është të kapërcehet ndarja e vjetër ndërmjet sferës ekonomike, shoqërore dhe ekologjike. Doktrina shoqërore e Kishës ka pasur gjithnjë si objektiv të mirën e përbashkët, me një kujdes të veçantë për anëtarët më të ligshtë të shoqërisë. Duke i dhënë përparësi njeriut, mund të ndryshohen rregullat që qeverisin sistemin financiar, mund të nxiten kështu ndryshime konkrete e të mënjanohen sjelljet e vjetra të lakmisë, që kanë sjellë krizën aktuale.







All the contents on this site are copyrighted ©.