(04.03.2010 RV)Më 7 mars në Irak do të mbahen votimet për zgjedhjet politike
në vend, por një pjesë e irakianëve, - ushtarakët, punonjësit e shëndetësisë dhe
të sëmurët - votuan sot. Nga këto votime ku janë paraqitur 6.200 kandidatë, do të
dalin 325 deputetë që do të përfaqësojnë popullin në parlamentin e ri. Por situata
në vend nuk është aspak e qetë. Sot pesë vetë u vranë në një atentat me bombë afër
një qendër votimi në Bagdad, ndërsa dje tri kamikaze shkaktuan më se 30 të vdekur
në Bakubë. Po a mund të interpretohen këto votime si shenjë e demokracisë në vend?
Në mikrofonin tonë flet docenti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Universitetit
të Milanos, Alessandro Kolombo:
Përgjigje: Zgjedhjet
nuk mjaftojnë në asnjë mënyrë për të folur për demokraci. Por, kuptohet, janë një
hap i domosdoshëm drejt demokracisë. Këto votime zhvillohen në një kohë kur vetë shteti
irakian ka nevojë për stabilitet dhe për riorganizim.
Pyetje: Një nga simbolet
e demokracisë është edhe siguria. Por atentatet vazhdojnë. Ç’sinjal është ky?
Përgjigje:
Atentatet vazhdojnë, por mbi të gjitha vazhdon tensioni ndërmjet etnive të ndryshme
në vend. Këto atentate shërbejnë për ta mbajtur gjallë mundësinë e konfliktit, me
fjalë të tjera të shpërbërjes së vendit, e cila nuk është vetëm shpërbërje e shtetit
por edhe shkatërrim i çdo mundësie për demokraci në vend.