2010-03-03 15:32:16

Tërmeti në Kili: 800 të vdekur


(03.03.2010 RV)Rreth 800 viktima, 500 të plagosur, gati një milion pa shtëpi e 30 miliard dollarë dëme. Ky është bilanci i fundit i tërmetit në Kili. Pas vjedhjeve të ditëve të kaluara në Konsepsion, nata e kaluar ishte më e qetë, edhe në sajë të masave të marra nga qeveria, e cila ka vendosur ushtarët nëpër rrugë dhe e ka rritur shtetrrethimin në 18 orë.
Në zonat e qendrës dhe të jugut, të cilat kanë pasur dëme më tepër nga cunami se sa nga tërmeti, mungojnë ndihmat. Makina kiliane e emergjencës lëviz me ngadalësi, por ndërkaq, ka filluar gara e solidaritetit ndërkombëtar. Brazili, Argjentina e Peruja kanë dërguar kontingjentet e para, ndërsa sekretarja e shtetit amerikan, Hilari Klinton, e cila shkoi për një vizitë të shkurtër në vend, i siguroi autoritetet se administrata e Uashingtonit nuk do t’i lerë në baltë edhe kur të tjerët të jenë larguar.
Kisha Katolike është mobilizuar përmes Karitasit, i cili ka hapur një llogari bankare për të dëmtuarit nga tërmeti dhe ka organizuar mbledhjen e fondeve e të ndihmave nëpër famulli. Kryeipeshkvi i Santiagos, kardinali Fransisko Havier Errazuriz Osa, përmes fushatës “Kili lutet dhe mbështet Kilin”, u ka bërë thirrje besimtarëve të luten çdo ditë në orën 9. E çmuar, edhe ndihma e Karitaseve të tjera nga bota.








All the contents on this site are copyrighted ©.