2010-03-03 16:47:27

Benedikti XVI për Shën Bonaventurën: Kisha ndjek idealin e tij të pastërtisë, të varfërisë e të bindjes, duke harmonizuar fenë me kulturën.


(03.03.2010 RV)Kisha të bëjë të vetin stilin e një jete të pastër, të varfër, të bindur: këtë pohoi Benedikti XVI në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, në Vatikan, përballë tetë mijë besimtarëve. Papa ia kushtoi katekizmin Shën Bonaventurës së Banjorexhos, doktor i Kishës, që arriti të harmonizonte përshpirtërinë françeskane me reflektimin teologjik. Në çastin e përshëndetjeve, Ati i Shenjtë kujtoi figurën e Shopenit, kur mbarë bota përkujton dyqindvjetorin e lindjes së kompozitorit të madh polak, që njihet si ‘Poeti i pianos’. Kishave u kujtoi se duhet të impenjohen gjithnjë më shumë në ndihmë të ciganëve.

“Njeri i mirë, i ëmbël, i përshpirtshëm e i mëshirshëm, përplot me virtyte, i dashur nga Zoti e nga njeriu”: Benedikti XVI mori hua fjalët e një lëvdate të lashtë papnore, për të pikturuar me të portretin e Shën Bonaventurës nga Banjorexho. Njeri i veprimit e i kundrimit – nënvizoi Benedikti XVI - ai dha një kontribut tejet të çmuar për krijimin e harmonisë ndërmjet fesë e kulturës. Më pas Papa përmendi shtegtimin e tij në Banjorexho e u kujtoi besimtarëve të pranishëm në audiencë se që në rini kishte ushqyer një dashuri të posaçme për Shenjtin teolog:
“Ju rrëfej se, duke e paraqitur këtë argument, provoj një farë nostalgjie, sepse më vijnë përsëri në mend kërkimet e rinisë, pikërisht mbi këtë autor, të cilin e kam dashur gjithnjë në mënyrë të veçantë. Njohja e tij ka ndikuar jo pak në formimin tim”.
Benedikti XVI përshkroi shkurtimisht jetën e dijetarit të madh, me emrin rregulltar Bonaventura, në pagëzim, Gjovani da Fidanca. Një ngjarje, që i ndodhi kur ishte ende fëmijë – vijoi të tregonte Papa - i la gjurmë aq të thella, sa t’ia ndryshonte krejt rrjedhën e jetës. U sëmur rëndë e, në prag të vdekjes, u rikthye në jetë falë Shën Françeskut të Asizit, të cilit e ëma i kishte kërkuar të ndërmjetësonte për shpëtimin e të birit. Gjoni do të tregonte, më vonë, se kur u njoh me françeskanët, mbeti aq i mahnitur nga jeta thellësisht ungjillore e vëllezërve të vegjël, sa të ndjente thirrjen e pakundërshtueshme për të hyrë në familjen e madhe të dishepujve të Shën Françeskut. Ati i Shenjtë kujtoi fjalët e vetë Shën Bonaventurës për arsyet që e shtynë të zgjidhte këtë rrugë:
“Shkruan kështu, në një letër drejtuar një vëllau tjetër: “Rrëfej para Zotit se arsyeja, që më bëri ta dua më shumë jetën e të lumit Françesk, është se ajo i ngjet zanafillës e rritjes së Kishës. Kisha zuri fill me ca peshkatarë të thjeshtë, e në vijim, u pasurua me dijetarë të ndritur e të urtë; feja e të lumit Françesk nuk buroi nga maturia njerëzore, por nga Krishti”.Në vitin 1243 Gjoni veshi zhgunin françeskan e mori emrin Bonaventura. Nisi, kështu, në Paris, edhe studimet e teologjisë. Gjatë studimeve, arriti të fitojë pjekuri e ndjeshmëri të thellë shpirtërore, me vlerë të madhe, e kështu - vijoi Papa - arriti të bëhej një nga teologët më të rëndësishëm të historisë së Kishës. Më pas Benedikti XVI u ndalua posaçërisht tek puna e diplomës, që mbrojti Shenjti françeskan, për të marrë titullin e teologut. Titullohej: “Çështje mbi njohjen e Krishtit”:
“Ky argument flet vetë për rolin qëndror, që pati gjithnjë Krishti në jetën e në mësimin e Shën Bonaventurës. Mund të themi, pa asnjë dyshim, se gjithë mendimi i tij ishte thellësisht kristocentrik”.
Në vitet kur Shën Bonaventura ndodhej në Paris – vijoi të kujtonte Papa – vihej në dyshim jo vetëm vlera e mësimdhënies së françeskanëve e domenikanëve në universitete, por edhe vetë vërtetësia e jetës së tyre rregulltare. E kjo – reflektoi Ati i Shenjtë – për shkak se ndryshimet që sollën Urdhërat e Lypësve në mënyrën e kuptimit të jetës rregulltare, ishin aq të reja, sa jo të gjithë arrinin t’i kuptonin. Kësaj, pastaj, duhet t’i shtojmë edhe zilinë e smirën, ligështi që nuk mungojnë as në jetën e rregulltarëve. Bonaventura u mor me këtë çështje në veprën e tij “Përsosuria ungjillore”, në të cilën dëshmon se Urdhërat e Lypsëve, duke vënë në jetë kushtin e varfërisë, të pastërtisë e të bindjes, ndiqnin këshillat e vetë Ungjillit. E ky është një mësim gjithnjë aktual:
“Kisha u bë më e ndritur e më e bukur përmes besnikërisë së këtyre bijve e bijave të veta, të cilët jo vetëm që vunë në jetë mësimet ungjillore por, me hir të Zotit, janë të thirrur t’i respektojnë këshillat e të dëshmojnë kështu, me stilin e jetës së tyre të varfër, të pastër e të nënshtruar, se Ungjlli është burim gëzimi e përsosurie”.
Shën Bonaventura do të ishte, për 17 vjet me radhë, edhe epror i përgjithshëm i Urdhërit të Fretërve të Vegjël. E këtë detyrë e kreu me urti e përkushtim, por edhe me rreptësi, kur ishte fjala për t’iu kundërvënë shpërdorimeve. Për të shmangur rrezikun e përçarjes brenda Urdhërit, shkroi një tekst për njëjtësimin e normave, që rregullonin jetën e përditshme të fretërve të vegjël”:
Bonaventura e kuptoi se urdhërat, edhe kur janë të frymëzuar e të matur, nuk mjaftojnë për të siguruar bashkimin e shpirtrave e të zemrave. Zemrat e shpirtrat bëhen një, vetëm kur kanë të njëjtat ideale”.
Për këtë arsye Bonaventura deshi të paraqesë karizmën e vërtetë të Shën Françeskut, jetën e mësimin e tij. Dëgjoi, prandaj, me vëmendje të madhe, kujtimet e atyre, që e kishin njohur drejtpërdrejt Françeskun. Lindi, kështu, jetëshkrimi i Shenjtit të Asizit. Ja edhe portreti i Shën Françeskut, dalë nga zemra e nga penda e birit të tij të devoçëm e pasardhësit të tij, Shën Bonaventurës:
“Françesku është një Krisht tjetër, një njeri, që e kërkoi me pasion Krishtin. Përmes dashurisë, që të shtyn drejt përngjasimit, ai u bë plotësisht një me Të”. Bonaventura i ftonte të gjithë ithtarët e Françeskut të ndiqnin këtë ideal të gjallë. E ky ideal, me vlerë për çdo të krishterë, dje, sot e përgjithmonë, është edhe programi i Kishës së mijëvjeçarit të tretë, përvijuar nga Paraardhësi im i nderuar, Gjon Pali II”.
Është një program, që ka në qendër vetë Krishtin, për ta njohur, për ta dashur, për ta imituar, për të jetuar në Të jetën trinitare e për ta shndërruar, me Të, historinë, deri në përkryerjen e saj, deri tek Jeruzalemi qiellor.
Në çastin e përshëndetjeve, duke u folur shtegtarëve të ardhur nga Polonia, Benedikti XVI kujtoi kompozitorin e famshëm polak, Frederik Shopen, në dyqindvjetorin e lindjes, që po kremtohet në mbarë botën. Papa pianist uroi që muzika e kompozitorit, i cili solli një kontribut të madh në kulturën evropiane e në botë, t’i afrojë ata, që e dëgjojnë, tek Zoti e t’i ndihmojë të zbulojnë thellësitë e pamata të shpirtit njerëzor.
Më pas, duke u folur shtegtarëve italianë, përshëndeti posaçërisht pjesëmarrësit në takimin, që po mbahet në Vatikan, kushtuar punës baritore me ciganët. Papa uroi që Kishat vendase të punojnë së bashku me zell e dashuri në ndihmë të ciganëve.RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.