Në Universitetin Papnor Gregorian, ditë studimi për atë Mateo Riçin, jezuit, ungjillëzues
i Kinës
(02.03.2010 RV)Ditë studimi sot, në Universitetin Gregorian të Romës, kushtuar
jezuitit që u bë kinez ndër kinezët, atë Mateo Riçi. Jo më kot, tema e kësaj dite
ishte “Gjithçka e bëra si ata”, për të nënvizuar procesin e jashtëzakonshëm të inkulturimit,
që filloi jezuiti italian, në Kinën e epokës Ming, duke propozuar jo vetëm vlerat
katolike, por edhe duke mësuar nga dialogu ndërfetar e ndëretnik me vendasit. Modeli
i misionit të atë Mateo Riçit është pikë referimi edhe sot e kësaj dite për Shoqërinë
e Jezusit. Siç u vu në dukje nga relatorët, ai ishte njeri i dialogut, por të kuptuar
si dialog jete, dialog pune, dialog teologjik, duke u kthyer kështu në ndërmjetësues
kulturor, që di ta përçojë mesazhin e krishterë, duke u nisur nga tjetri e duke gjetur
në kulturën e tij, simbolet e gjuhën e përbashkët.