Falenderimi i të krishterëve irakianë pas thirrjes së Benediktit XVI në Lutjen e Engjëllit
të Tënzot të së dielës
(02.03.2010 RV)Në Irakun, që po
përgatitet për zgjedhjet politike të së dielës së ardhshme, vazhdon të ketë jehonë
thirrja e Papës Benedikti XVI në favor të të krishterëve të vendit, gjatë Lutjes së
Engjëllit të Tënzot. Fjalët e Papës - “mos u lodhni së qeni tharm i së mirës për atdheun,
të cilit i përkisni prej shekujsh” – ua mbushën zemrat të krishterëve irakianë, duke
u dhënë guxim e hov të ri. Kështu pohon në mikrofonin tonë, prokuratori i Kishës
së kaldejve pranë Selisë së Shenjtë, imzot Filip Naxhim: Është një mesazh
i Papës për të gjithë të krishterët e Irakut e mund ta ndajmë në dy pjesë. Në pjesën
e parë, ai na bën thirrje të gjithë ne të krishterëve për të dhënë akoma dëshminë
e fesë e për të mos u lodhur së qeni të krishterë, për të mbajtur kryqin që na takon
e për ta jetuar Ungjillin. Pjesa e dytë i kujton secilit prej nesh se jemi qytetarë
me të drejta të plota e se ky është atdheu ynë. Prandaj, përmes fesë, duhet të kontribuojmë
në ndërtimin e këtij atdheu, sëbashku me vëllezërit tanë myslimanë. Që prej shekujsh,
ne jetojmë në tolerancë e miqësi të plotë, jemi irakianë, duhet të përpiqemi të mbetemi
në Irak, duhet t’i japim shtetit forcën tonë dhe të kontribuojmë në arritjen e sigurisë
e në ndërtimin e së ardhmes së vendit. Të dielën, në shesh, kishte një parrullë,
ku thuhej: “Nuk durojmë më!”. Pse ky dëshpërim? Për viktimat e Mosulit? Me
të vërtetë, populli është i lodhur nga këto diskriminime e persekutime: jemi njerëz!
Tashmë, nuk shohim më rrugëdalje! Ne shpresojmë që paqja të mbretërojë një ditë, pasi
vërtet është dhuratë e çmuar sot për sot, të jetojmë në paqe, të rilindim e të rindërtojmë
Irakun e ri! Jemi të lodhur, sepse bashkësia ndërkombëtare na ka harruar e nuk ndërhyn
për t’i dhënë fund këtij diskriminimi e persekutimi kundër pakicave të krishtera në
të gjithë Lindjen e Mesme.