2010-03-01 16:08:30

Takimi islamo-kristian në Al-Azhar të Kairos: të kundërshtohet fanatizmi fetar duke filluar nga shkolla e nga shtypi


(01.03.2010 RV)Reflektimi mbi arsyet e dhunës fetare dhe propozimi i zgjidhjeve të mundshme, duke pasur parasysh rolin pozitiv të feve: kjo ishte tema e mbledhjes së fundit të Komitetit të përbashkët për dialog, që përbëhet nga Komiteti i përhershëm i Al-Azharit për dialogun ndërmjet feve monoteiste dhe nga Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar. Mbledhja u bë javën e kaluar në Kairo të Egjiptit.
Imami i Universitetit të Al-Azharit – një nga qendrat kryesore të mësimdhënies për Islamin – dënoi ashpër atentatin kundër 6 të krishterëve dhe një polici mysliman në natën e Krishtlindjes ortodokse, më 7 janar, në lokalitetin egjiptian Naga Hamadi. Kjo ngjarje tragjike, cituar edhe në dokumentin përfundimtar, ishte premisa për të pohuar “barazinë e të gjithë qytetarëve përsa i përket të drejtave e detyrave, pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare”.
Ndër pikat që theksohen në dokument, është edhe nevoja për t’i kushtuar më tepër kujdes instrumentalizimit të fesë për qëllime politike, pasi kjo mund të jetë burim dhune. Në tekst, kërkohet që të shmanget diskriminimi fetar dhe të vihen në dukje vlerat e faljes së ndërsjelltë e të pajtimit, si kushte të nevojshme për bashkëjetesën pa probleme.
Është e rëndësishme, vazhdojnë më tej përfaqësuesit e Islamit e të Krishterimit, që edhe ligjet të garantojnë barazinë ndërmjet feve. Këto vlera duhen promovuar përmes kulturës së respektit të ndërsjelltë, dialogut dhe edukimit në shtëpi, shkollë, kishë e xhami. Gjithashtu, duhen bërë kontrolle që mësimet e krerëve fetarë dhe tekstet shkollore të mos përmbajnë deklarata, apo të mos u referohen ngjarjeve historike, që drejtpërdrejt ose jo, mund të shkaktojnë dhunë ndërmjet ndjekësve të feve të ndryshme. Një rol të rëndësishëm, thuhet në deklaratën përfundimtare të takimit islamo-kristian të Kairos, kanë edhe mjetet e shtypit, sidomos kanalet që përdorin satelitin, për shkak të efektit të rrezikshëm që mund të kenë mbi paqen ndërmjet bashkësive fetare. Takimi i ardhshëm i Komitetit të përbashkët do të bëhet më 23 e 24 shkurt 2011 në Romë.







All the contents on this site are copyrighted ©.