2010-03-01 14:36:53

Ndjeti i lutjes i Papës: ekonomia botërore të jetë e drejtë dhe e barabartë. Reflektim i drejtorit të Fondacionit “Drejtësi e Solidaritet”


(01.03.2010 RV)“Të lutemi që ekonomia botërore të administrohet sipas kritereve të drejtësisë e të barazisë, duke marrë parasysh kërkesat e vërteta të popujve, sidomos të më të varfërve”: ky është ndjeti i lutjes së përgjithshme, që Papa Benedikti XVI u drejton besimtarëve për muajin e marsit. Ashtu si në “Caritas in Veritate”, Papa vë theksin mbi njeriun e të drejtat e tij, si paradigmë e vërtetë për çdo përparim ekonomik. Pikërisht për binomin drejtësi-barazi në marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare, intervistuam drejtorin e Fondacionit italian “Drejtësi e Solidaritet”, ekonomistin Rikardo Moro:
Mendoj se do të ishte i dobishëm një reflektim rreth temës së marrëdhënieve, në kuptimin që mund të them se ka drejtësi vetëm në një bashkësi, ku ekzistojnë marrëdhënie humanizuese. Të vendoset drejtësia do të thotë të krijohen këto lloj marrëdhëniesh. Është një temë, që lidhet ngushtë me përmasën ekonomike: tregu është një bashkësi, një kompleks marrëdhëniesh dhe, ekonomia që karakterizohet nga drejtësia dhe barazia – siç thotë Papa – është një ekonomi ku tregu, ku marrëdhëniet ekonomike që krijojmë, gjërat që shkëmbejmë, çmimi që paguajmë për punën e bërë janë marrëdhënie, që kanë për qëllim t’i shërbejnë dinjitetit të njeriut. Në çastin kur kjo bashkësi marrëdhëniesh ka si synim njohjen, krijimin e dinjitetit të ndërsjelltë, atëherë mund të flasim për drejtësi e barazi e atëherë mund të kemi një ekonomi, që është vërtet në shërbim të njeriut.
Kur flitet për krizë ekonomike, në këtë periudhë, mendja shkon menjëherë tek SHBA-të, Evropa… Por ekziston edhe një pjesë tjetër e njerëzimit, që pothuaj është gjithnjë në krizë, por për të nuk flitet…
Kjo është e vërtetë: llogaritet, sipas të dhënave të Bankës Botërore, se 1 miliard e 300 milion vetë jetojnë me më pak se një dollar në ditë e tre miliard jetojnë me më pak se dy dollarë në ditë. Secili mund ta imagjinojë vetë se ç’do të thotë të jetosh me dy dollarë në ditë. Kjo pjesë e planetit vazhdon të jetojë pa arritur ta ndryshojë situatën; kriza rëndon edhe mbi këtë pjesë të njerëzimit, që jeton edhe për hir të eksportimeve në Veriun e botës. Kriza ka bërë që ekonomitë të kthehen mbrapsht, të ulet Prodhimi i Brendshëm Brut, prandaj këto vende, megjithëse nuk kanë asnjë përgjegjësi për krizën, vuajnë pasojat e saj.
Azia, me në krye Kinën, është motorri i ekonomisë botërore. A ekziston rreziku që modeli i ri i zhvillimit, që po imponohet në këtë rajon, të mos e ketë në qendër njeriun dhe të drejtat e tij?
Unë do të thosha këtë: nuk është aspak e thënë që Kina të jetë motorri i zhvillimit, siç kanë qenë në të kaluarën SHBA-të, apo Gjermania në panoramën evropiane. Është sigurisht e vërtetë se zhvillimi kinez zgjon shumë dyshime, pasi kemi shumë dhunime të të drejtave: dhunime të ligjit mbi punën, të të drejtave të punëtorëve… Mendoj se dalja nga kriza mund të imagjinohet vetëm me marrjen e përgjegjësisë nga të gjithë, 360°. Nuk mjafton t’ia lemë iniciativën tregut. Tregu nuk është diçka që ekziston si i pavarur, tregu bëhet nga persona e kërkon prononcime etike!







All the contents on this site are copyrighted ©.