2010-02-26 17:46:19

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 2-të të Krezhmëve


Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të lexojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së dytë të kohës së Krezhmëve, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.
Leximet biblike të kësaj së diele të dytë të Krezhmëve flasin për dëftimet e mëdha të Zotit: dëftimi i marrëdhënies së besnikërisë që e lidh Zotin me njeriun në personin e Abrahamit, dëftimi i cakut dhe fatit të lavdishëm në Krishtin që “na ka shndërruar në korpin e vet të lavdishëm” sipas porosisë së Palit drejtuar Filipianëve dhe së fundi dëftimi i hyjnisë së Krishtit “Birit të zgjedhur” në Shndërrimin mbi Malin Tabor.
Kështu, pas tundimeve të Krishtit, për të cilat foli Ungjilli i dielës së kaluar, dielës së parë të Krezhmëve, në këtë diele të dytë, ungjilli na paraqet Shndërrimin e Krishtit ; në përjetimin e parë dhe këtë të dytin kemi një aspekt e pjesë të përbashkët: është lutja. E derisa po lutej, - Shpirti e solli -, e djalli filloj ta tundonte Jezusin; dhe akoma derisa Jezusi është në lutje, zbulohet e shfaqet hyjnia e tij.
Me lutje ngadhënjejmë dhe mposhtim të këqijat, sepse kush lutet e ka në zemër e në duar gati gati të njëjtën fuqi të gjithëpushtetshme hyjnore; me lutje realizohet kthimi jonë nga mëkati në hirin e Zotit, të qenurit tonë njerëzor kalon në të qenurit mbinjerëzor, që plotësohet përkundra të gjitha pengesave e vështirësive. Ungjilli i Lukës na zbulon në mënyrë të posaçme këtë vazhdimësi; elementin e lutjes do ta gjejmë në mënyrë krejt të jashtëzakonshme në uratën mbi Golgotë ku lutja i jep Jezusit forcën ta pranoj, në errësirën e braktisjes së Atit, vullnetin e tij hyjnor. Ungjilltari më tej na thotë se dishepulli nuk ka tjetër kënd që ta kërkojë apo dëgjojë përveç Jezusit. Vetëm atë.
Pjesa Ungjillore e kësaj së diele na fton të ecim bashkë me Krishtin drejt malit të shenjtë për të kundruar fytyrën e tij të lavdishme. Duke vështruar Jezusin e shndërruar në shkëlqimin e lavdisë së tij mbi malin Tabor, ne nxitemi, mbushemi me shpresë që edhe ne do t’ia arrijmë lavdisë së jetës së përjetshme e do të shndërrohemi bashkë me Të në amshim. Me shndërrimin e vet, Jezu Krishti na kumton ngjalljen e tij e na tregon se edhe ne jemi të paracaktuar të jemi e të bëhemi pjesë e lavdisë së tij hyjnore të qiellit. Tani e përjetojmë mundimin, e pësojmë peshën e jetës së përditshme, por jemi të nxitur, jemi të frymëzuar, jemi të mbështetur e të ndriçuar nga shpresa e jetës së amshuar, në të cilën Zoti na ka thirrur.
Ungjilli (Lk 9,28-36) i kësaj së diele të dytë të Krezhmëve që paraprijnë e përgatisin Pashkët, na paraqet Jezusin në udhëtim drejt Jerusalemit, drejt pagëzimit të kryqit; në një ndalesë gjatë udhëtimit, tre dishepujt e tij do të kenë mundësinë ta kundrojnë (sodisin) Mësuesin e shndërruar në lavdi. Edhe ne kemi të njëjtin cak e fat të lavdishëm, pohon leximi i dytë i kësaj së diele nga letra e Shën Palit drejtuar Filipianëve (Fil 3,17-4,1) ndërsa Abrahami në leximin e parë të liturgjisë së Fjalës së dielës (Zan 15,5-12.17-18) mund të kundrojmë fatin e cakun në të cilin Zoti e thërret, dmth. të bëhet ati (babai) i trashëgimtarëve të panumërt.
Në këtë të diele të dytë të Krezhmëve, leximet biblike na propozojnë e dorëzojnë një përvetim, eksperiencë të gëzuar, të ngazëlluar. Dishepujt, para se ta njohin Jezusin Shërbëtorin e munduar e të vuajtur, kanë një vegim, një pamje të shkurtër por të fortë, të thellë, të lavdisë së tij. Në fytyrën e Birit të Njeriut është (e shohin) shfaqjen, dëftimin e lavdisë së Zotit. Në fytyrën e shpërfytyruar e të munduar të sa e sa vëllezërve tanë duhet të bëjmë të shkëlqejnë rrezet e lavdisë të të shëlbuarëve.
Po e mbyllim me lutjen e fillimit që do të dëgjojmë në meshën e së dielës: “O Hyj, që na ke thëne të dëgjojmë Birin tënd të dashur, ushqeje besimin tonë me fjalën tënde dhe pastroji sytë e shpirtit tonë, që të gëzojmë pamjen e lume të lavdisë tënde. Neper Krishtin Zotin tone. Amen”.
Këtu mund të dëgjoni programin e plotë të Liturgjisë së Fjalës së Zotit, me leximet biblike përkatëse nga L1: Zan 15,5-12.17-18; L2: 1 Flm 3,17-4,1; ungjilli: Lk 9,28b-36 dhe komentin...RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.