2010-02-26 15:30:15

Irak: Patriku akuzon autoritetet si bashkëpunëtorë në dhunën kundër të krishterëve.


(26.02.2010 RV)Patriku i Kishës siro-katolike në Irak, Fortlumturia e Tij, Mar Injacius III Jozef Junan i drejtoi kryeministrit të vendit, Nuri Al-Maliki, një letër, përmes së cilës akuzon autoritetet irakiane. Duke qëndruar duarkryq përballë dhunës, të krijojnë idenë e bashkëpunimit me forcat, që dëshirojnë largimin e të krishterëve nga Mosuli – shkruan Prelati. Ndërsa po shkruajmë – vijon Patriku siro- katolik – zemra jonë kullon gjak për shkak të lajmeve tragjike, që arrijnë vazhdimisht nga Mosuli, ku të krishterët sulmohen çdo ditë nga kriminelë ‘të panjohur’. Vriten, masakrohen, dhunohen në rrugë, në shkolla e deri në shtëpitë e tyre, vetëm e vetëm sepse i përkasin një feje të ndryshme, nga ajo e shumicës së banorëve të qytetit. E ka edhe më keq – vijon të shkruajë Patriku. Askush nuk pyet ç’duhet të bëjë drejtësia, askush nuk i mbron të drejtat e këtyre njerëzve e askush nuk e merr mundimin t’i dënojë agresorët. Duhet të na besoni: durimi ka një kufi!
Patrikun e çudisin arsyet, që paraqesin funksionarët e qeverisë, e sidomos, falimentimi i tyre, që të shtyn të mendosh se duhet të jenë bashkëpunëtorë në përpjekjen për ta zbrazur qytetin e Mosulit nga të krishterët, të cilët jetojnë prej shekujsh në këtë vend, ku edhe gurët dëshmojnë sa djersë derdhën paraardhësit e tyre.Prej këndej, britma e kreut të Kishës siro-katolike: “Ngremë zërin tonë e kërkojmë: në se forcat e sigurimit në Irak nuk mund t’i mbrojnë qytetarët e pafajshëm e të pambrojtur, atëherë le të na thonë, në emër të Zotit, pse nuk ua japin armët në dorë pikërisht të pambrojturve, që të mund të mbrojnë vetveten e të mos theren, si delet tek kasapi. Askush e asnjë arsye, as zgjedhjet, as pushtimi, as konfliktet ndërmjet partive – përfundon letra - nuk mund ta përligjin këtë, që po ndodh sot në Mosul.







All the contents on this site are copyrighted ©.