2010-02-26 16:22:18

Indi: Kisha tronditet thellë nga dhuna kundër të krishterëve


(26.02.2010 RV)Në Indi Kisha po tronditet thellë, këto ditë, nga dhuna dramatike, e cila pasoi botimin e një figureje blasfemuese, që fyente Jezusin, shtypur mbi kapakun e një libri shkollor. Pas protestave civile të bashkësisë së krishterë, nisën sulmet e rënda të fondamentalistëve hinduistë. U dogjën dy kisha e dhjetra njerëz mbetën të plagosur nga shkaku i ndeshjeve.
Për këtë ngjarje, sa të rëndë, aq të hidhur për të gjithë të krishterët e botës, pyetëm Paolo Afatin, redaktor i Agjensisë Fides, i cili është marrë që në fillim me këtë ngjarje dhe Guido Impelicerin, pedagog i filozofisë bashkëkohore pranë Universitetit Papnor Salezian:
Paolo Affato sqaron:

Përgjigje: - Disa rregulltare, që ndodhen në Shtetin e Megalajas, e panë këtë libër. Një tekst, që ka të bëjë me mësimin e bukurshkrimit, përmes të cilit fëmijët mësohen pikërisht të shkruajnë sa më mirë. Jezusi cilësohej si idhull. Pastaj kjo figurë qarkulloi në të gjithë vendin. Disa grupe fondamentaliste, në veri të Indisë, e morën figurën blasfemuese, e shtypen mbi disa afishe e, në mënyrë shumë provokuese, mbushën me to disa qytete. Grupe të krishterësh protestuan paqësisht, duke kërkuar të hiqen menjëherë afishet. Por të rinj hinduistë iu kundërvunë dhe nisën sulmin e dhunshëm, që u përhap menjëherë nga fondamentalistët në disa zona të vendit, ku u ftuan të gjitha grupet militante të dhunës për t’iu sulur lagjeve të krishtera e kishave. E sulmet qenë vërtetë të rënda.

Ndërsa profesor Guido Impeliceri shpjegon shkaqet e situatës së krijuar::

Përgjigje - Kjo situatë është e kohëve të fundit; përkon me lindjen e lëvizjes fondamentaliste ‘Hindutva’, që kërkon hinduizimin e të gjithë vendit. Kemi të bëjmë me një nacionalizëm të skajshëm. Kjo ‘Hindutva’, kryesohet nga brahmanët, prifërinj që i përkasin kastës së parë. E pikërisht këta duan t’i kontrollojnë të gjithë të tjerët. Ndërsa Kisha katolike impenjohet për ungjillëzimin e kastës së fundit të Dalitëve. Por brahamanët nuk dëshirojnë që kjo kastë e njerëzve të braktisur, të arrijë në nivelin e tyre. Për fat të keq Dalitët nuk po e kuptojnë atë, që fshihet pas politikës së brahmanëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.